na ndiq ne

Tesla tejkalon 500.000 makina të shitura

14/01/2021

Tregu elektrik hov i paparashikuar

Në biznes nganjëherë thuhet se kur dikush humbet, fiton një tjetër. Ndoshta kjo është e vërtetë edhe në tregun automobilistik. Viti 2020 ka qenë një vit për t’u harruar e megjithatë, prodhuesi amerikan ka patur rritjen më të madhe në histori dhe është i vetmi me një rritje prej 46%! Ky rezultat e “fluturon” Tesla-n në pozicionin e 39-të në botë me një progres unik për vitin që lamë pas.

Tesla ka shitur saktësisht 471,511 Model 3 dhe Model Y si dhe 66,527 Model S dhe Model X. Në total, në vitin 2020, Tesla ka shitur 538,038 njësi, kundrejt 368,519 njësive të shitura në vitin 2019.

Ajo që na duket edhe më kurioze është fakti që Tesla ka patur një hov të rëndësishëm në tremujorin e fundit të vitit (Q4) kur Tesla ka dorëzuar plot 180.570 makina klientëve të saj, duke rregjistruar kështu tremujorin më të suksesshëm të saj ndër vite.
Parashikimi i Elon Musk për këtë vit kishte qenë pikërisht ky, pra tejkalimi i gjysëm milioni automjetesh të prodhuara dhe shitura në 2020. Problemi është që parashikimi është bërë para pandemisë dhe ndërkohë që të gjithë prodhuesit rishikuan parashikimet e tyre, Tesla i qëndroi objektivit pavarësisht vështirësive të paparashikuara me të cilat po përballemi ende.

Vlen të thuhet se rritje të shitjeve për makinat elektrike kanë patur edhe shumë prodhues të tjerë si psh Grupi Volkswagen apo Grupi BMW duke shënuar kështu një rritje të përgjithshme të preferencës për mjete ekologjike, por shifrat janë më të vogla se ato të prodhuesit amerikan.

Bashkë me rritjen e shitjeve, vlera e kompanisë është rritur ndjeshëm edhe në nivel kapitali. Duke qenë se Tesla është një kompani e kuotuar në bursë, ky rezultat është logjik deri diku, pavarësisht se kuota 669 miliardë dollarë, që është vlera aktuale e kompanisë është një rezultat i rrallë, i mjaftueshëm për të projektuar Elon Musk, themeluesin dhe Ceo-n e Teslas në vendin e njeriut më të pasur në planet.

Me këto të dhëna, Tesla aktualisht klasifikohet si prodhuesi më i madh i makinave elektrike në botë. Për të vazhduar në rrugën e saj, Tesla është duke ndërtuar dy stabilimente të reja. Njëri është në Gjermani, në Berlin, gjatë vizitës të së cilit Elon Musk vizitoi edhe ambjentet e kolosit gjerman ku ngau edhe një Volkswagen ID3. Kjo fabrikë synon të prodhojë rreth 500.000 makina në vit. Fabrika tjetër është në Austin (Teksas) ku do të prodhohet modeli pick-up Cybertruck dhe kamioni Semi. Fabrikat e tjera të prodhuesit amerikan janë në Fremont, Kaliforni dhe në Shanghai.
Në Shqipëri Tesla ende nuk ka shitje zyrtare, por kjo nuk e ka penguar konsumatorin shqiptar të blejë një Model S të cilën nganjëherë e ndeshim në rrugët e Tiranës.