na ndiq ne

Seria 5 e re më e madhe se kurrë

22/03/2024

Disa marka kanë një model që duket se i përfaqëson më shumë se të tjerët. Kjo mund të jetë për arsye të një suksesit në treg ose sepse ky model arrin të përfaqësojë më mirë filozofinë dhe “shpirtin” e gjithë markës.

Në rastin e Serisë 5 të prodhuesit bavarez mendojmë se janë të dyja. E prodhuar për herë të parë në vitin 1972, Seria 5 vjen tashmë në gjeneratën e saj të tetë dhe na duket se risitë janë të shumta.

Në pamje të parë Seria 5 e re duket si një evolucion i natyrshëm i modelit që zëvendëson (gjeneratën G30). Por e parë në profil ose nga mbrapa, për një sy të shkujdesur, mund dhe të mendosh se është një Seri 7, sepse me përmasat e rritura, është e gjatë si një Seri 7 e gjeneratës F01 e 10 viteve më parë.

Seria 5 e re është e gjatë 506 cm (10 më shumë se modeli i mëparshëm G30), e gjerë 190 cm (3 më shumë se G30) dhe 152 cm e lartë (4 më shumë se G30).

Nga ana estetike, Seria 5 e re, me siglën G60, është moderne dhe me forma skulpturore, që japin idenë e muskujve dhe sportit, atë që BMW ndoshta më shumë se çdo markë luksoze e ka pikë të fortë në ADN-në e saj.

Detajet që shprehin modernizmin janë të shumta, por ai që dallon më shumë është mundësia e dopio veshkës (maskerino) të ndriçuar me Led. Detaj ky në fakt për të cilin kemi ndonjë rezervë, pavarësisht se e shohim çdo ditë e më shumë kudo, ndoshta sepse “moda” e momentit.

Evolucioni është akoma më i prekshëm brenda, ku kruskoti i Serisë 5 është revolucionuar më shumë se kurrë në 20 vitet e fundit.

I gjithë kruskoti është i ri, minimalist në forma, por i pasur në detaje. Natyrisht vendin dhe vëmendjen e marrin menjëherë ekranet Led me përmasa 12.3” ai i kuadrit dhe 15.9” ai që komandon infotainment dhe funksione të tjera të makinës. Të themi të drejtën, disa funksione, si psh klimatizatorin, do ta preferonim ende me butona fizikë dhe jo me prekje, por presim ta shohim nga afër dhe ta provojmë për t’u shprehur në mënyrë të plotë. Presim ftesën për një test drive nga Tag Albania, përfaqësuesi zyrtar i BMW-së në Shqipëri.

Një shirit me efekt xhami transparent rrethon gjithë perimetrin e kabinës nga brenda. Në të integrohet ndriçimi Led ku mund të zgjidhet ngjyra e dëshiruar. Së bashku me komanda të tjera në panelet e dyerve, këto detaje i japin një shije moderne dhe bashkëkohore gjithë atmosferës në kabinë.

Sistemi multimedial është mjaft i avancuar dhe mund edhe të përditësohet online me funksione të reja. Ndër aplikacionet e disponueshme mund të gjenden edhe videogame, të cilët natyrisht mund të aktivizohen vetëm me makinë të ndaluar.

Motorizimet janë të menduara për të gjitha llojet e klientelës duke përfshirë për herë të parë edhe variantet 100% elektrike në këtë segment. Versionet me motorizim “tradicional” do të jenë të llojit “mild hybrid” me sistem ndihmues elektrik 48 volt. Për sa i përket benzinës dhe naftës, versionet e para janë 520i me 208 kuaj fuqi dhe 520d me 197 kuaj fuqi, kjo e fundit ofrohet edhe me tërheqje integrale xDrive.

Midis motorizimit tradicional dhe versioneve elektrike gjejmë motorizimet hibride “plug-in”, respektivisht 530e me 299 kuaj fuqi dhe 550e xDrive me 489 kuaj fuqi.

Versionet elektrike, të pagëzuara me siglën  parashikojnë i5, përfshijnë versionet i5 M60 xDrive dhe i5 eDrive40. Kjo e fundit zhvillon 340 kuaj fuqi dhe 430 Nm moment rrotullues dhe ofrohet me tërheqjen tradicionale në aksin e pasëm. Nga ana e performancës gjejmë një kohë prej 6 sekondash për të arritur 100 km/h dhe shpejtësi maksinale që arrin 193 km/h.

Në rastin e versionit top, i5 M60 xDrive fuqia është  601 kuaj, tërheqja integrale në të katër rrotat dhe performancë të denjë të siglës sportive M. Duke aktivizuar funksionin “M Sport Boost” ose “launch control” momenti rrotullues i gjeneruar nga dy motorët elektrikë (një për secilin aks) arrin në vlerën 820 Nm duke garantuar një përshpejtim 0-100km/h për vetëm 3,8 sekonda. Shpejtësia maksimale kufizohet në mënyrë elektonike në 230 km/h.

Autonomia e versioneve elektrike propozohet interesante. Bateria prej 81,2 kWh ofron një autonomi midis 455 dhe 516 km në versionin i5 M60 xDrive dhe 477 km deri 582 km për versionin i5 eDrive40. Kohët e karikimit nga një kolonë e shpejtë janë rreth 30 min për karikim që shkon nga 10 në 80% të kapacitetit.

Kjo risi teknologjike është përgjigjia bavareze ndaj versionit të fundit E Class nga Shtytgarti dhe A6, konkurrenti që plotëson “treshen” e famshme gjermane në segmentin premium, lider në tregun botëror.

Lexo “E Class rinovohet”