na ndiq ne

Mercedes E Class rinovohet

10/05/2023

E Class i ri me mirë se S Class??

Natyrisht që si në çdo gjë tjeter, shija është vendimtare në përzgjedhjen e një makine. Shumë njerëz duan një makinë me përmasa jo të ekzagjeruara, por pa hequr dorë nga luksi dhe komoditeti.

Eshtë pikërisht këtu që duket se ky E Class i ri bën maksimumin të ofrojë sa më shumë për klientët që do ta zgjedhin dhe për momentin, nga ana e teknologjisë, duket se ofron disa gjëra më shumë se S Class-i aktual.

Por le ta zbulojmë në detaje se si është ky model i ri që nga Shtutgarti e prezantojmë me krenari si një “urë që lidh të kaluarën me të ardhmen” (cit. nga zëdhënësi zyrtar).

Gjenerata e re vjen si fryt i një eksperience shumëvjeçare (E Class i parë është prodhuar në vitin 1948) dhe ndër gjenerata ka qenë shpesh pararoja e shumë shpikjeve të prodhuesit me yll.

E Class i ri është i gjatë 4.95 metra (njësoj si modeli paraardhës) por ka një distancë mes dy akseve më të gjatë me 2.2cm (2.96 m total) nga e cila perfitojnë më shumë pasagjerët që ulen mbrapa. Design-i i jashtëm duket i realizuar në stilin minimalist të viteve të fundit, ku spikasin disa elemente, si për shembull maskerino e rrethuar në gjithë perimetrin me plastikën me shkëlqim, që është tipar i modeleve elektrive, ose dorezat e dyerve që “zhduken” njësoj si tek vëllai i madh S Class. Në përgjithësi, stili i ri duket më modern dhe më elegant se modeli që do të zëvendësojë.

Brenda ndryshimi me gjeneratën aktuale është edhe më i madh, duke shkuar më shumë drejt stilit të modelit EQS, sesa në drejtim të S Class, siç ishte gjenerata e kaluar. E Class i ri nuk ka frikë ta shpalosë teknologjinë, edhe pse në disa platforma mediatike ndërkombëtare është cilësuar si e tepërt. I gjithë kruskoti i makinës është i mbuluar nga tre ekranët Led, aq sa në fakt mbulon linjat elegante dhe materialet cilësore, që në këtë gjeneratë janë edhe ekologjikë.

Monitori i parë ofron informacionin në shërbim të shoferit, ai qendrori është qendra e komandës për të gjitha funksionet në lidhje me jetën në bord. Ky ekran ofron edhe funksione shtesë siç mund të jenë ndërlidhjet video për mbledhje, sepse për here të parë, sistemi MBUX ka përfshirë edhe app të jashtme siç janë Zoom, Webex apo edhe TikTok, që parashikon mundësinë e shpërndarjes së një selfie nga kamera e vendosur në kruskot (duke i shkelur kështu tregut kinez). Ekrani i tretë, ai i pasagjerit, është i pajisur me një xham që është i pakexueshëm nga këndi i shoferit. Ky ekran i tretë, natyrisht është opsional.

Nga ana mekanike, duket se komoditeti do të bazohet në sistemin e amortizatorëve Airmatic, opsion me pagesë shtesë edhe ky, ndërsa modelet më të thjeshta do të kenë sistemin më tradicional Agility Control, me amortizatorë dhe susta. Aksi i pasëm rrotullohet deri në 4.5 gradë duke ndihmuar në manovrat me shpejtësi të ulët. Në ato vende ku ligji e lejon, E Class-i i ri mund të parkohet edhe pasi shoferi ka zbritur, duke e komanduar në distancë. Gjithashtu, në bordin e E Class-it të ri mund të hipet edhe duke e hapur atë me iPhone, përveç çelësit fizik. Nëpërmjet ketij sistemi, pronari mund të lejojë deri në 16 persona që të hapin dhe të ngasin makinën.

Ndër motorizimet për Europën spikasin versionet e elektrifikuara hibride, ku në fakt ruhen ende disa versione me naftë. Në fillim, motorizimet do të jenë të gjitha me katër cilindra dhe të gjitha të elektrifikuara, në variantet hibride benzinë + elektrike ose naftë + elektrike. Versionit hibride të lehta (mild hybrid) kanë një motor elektrik me 23 kuaj fuqi. Versini E 200 me benzinë zhvillon 204 kuaj fuqi ndërsa versioni E 220 d me naftë zhvillon 197 kuaj fuqi. Konsumi që Mercedesi deklaron është respektivisht 6,4 – 7,3 l/100 km për E200 dhe 4,8 – 5,7 l/100 km për E 220 d. Versionet hibride plug-in (karikim me prizë) janë të pajisura me një motor elektrik me 129 kuaj fuqi dhe zhvillojnë në total 313 kuaj për E 300e dhe 380 kuaj për E400e.

Të dyja këto versione ofrohen edhe me tërheqje integrale 4Matic. Për versionet plug-in, Mercedes deklaron një konsum rreth 0.9 litra/100km, por kjo është një vlerë virtuale, që rezulton nga një përdorim me ecje kryesisht me bateri. Autonomia për ecjen vetëm me bateri varon nga 99 deri në 118 km duke kufizuar shpejtësinë në 140 km/h. Versioni më i shpejtë është E400e 4Matic, në gjendje të përshpejtojë nga 0 – 100 km/h për vetëm 5,3 sekonda, ndersa shpejtësia është e kufizuar eletronikisht në 250 km/h.

Ende jo zyrtar çmimi për vendin tonë, por në bazë të sistemit të taksimit, duket se kush e dëshiron një model të tillë, duhet të përgatisë diçka më pak se 60.000euro, por kujdes, ky është vetem çmimi fillestar. Sapo të preken opsionet shtesë, portofoli zbrazet ndjeshëm J