na ndiq ne

Volvo XC90 rinovohet

25/02/2019

 E mbani mend Volvo-n XC90? Modeli top Suv nga prodhuesi suedez, ai që përballon aksidentet me trenin (lexo këtu artikullin), duket se ka qenë objekt rishikimi në shumë drejtime për të “rifreskuar” modelin. Nisur nga niveli i risive të propozuara, ky operacion mund të jetë diçka më shumë se një “facelift”, sepse debuti i motorëve të rinj hibridë të “butë” (mild hybdid) në këtë rast është një risi e rëndësishme.

Duke filluar nga ana estetike, Volvo XC90 ka qenë thyesi i akullit me linjat e reja të design-it aktual Volvo, shumë i pëlqyer dhe më tej i ndjekur besnikërisht nga të gjitha modelet e tjera që e pasuan. Në këtë rast, ndryshimi estetik është ai i maskerinos me zgarën e kromuar me motive vertikale. Design i rinovuar përfshin edhe disqet dhe bojra të reja jo të pranishme më parë.

Nga brenda nuk vëmë re ndonjë ndryshim të rëndësishëm që të evidentojmë këtu, por rritet numri i konfigurimeve të hapësirës së brendshme. Përveç versionit me pesë dhe shtatë vende, XC90 tani mund edhe të porositet me gjashtë vende ose në versionin “Excellence”, me vetëm katër sedilje dhe plot hapësirë të lirë në vend.

Le të shohim pak më konkretisht motorizimet e reja. Bëhet fjalë për tre versione: B5 me benzinë dhe naftë dhe B6 vetëm me benzinë. Këto motorizime janë një risi absolute për Volvo-n. Nëse po mendoni për motorët T6 dhe T8, (T=Twin engine) në atë rast kemi dy motorë të veçantë, secili me një fuqi të tijën autonome ose edhe të kombinuar.

Me fjalë të tjera, janë versione hibride plug-in, ndërsa versionet “mild hybrid” janë versione ku motori kryesor është gjithmonë ai me karburant, dhe ndihma elektrike është vetëm një “lehtësim” për motorin. Megjithëse mund të duket jo themelore, kjo ndihmë është e rëndësishme për uljen e konsumit dhe të ndotjes mjedisore si dhe për rritjen e performancës së përgjithshme të motorit.

Versioni B5 do të jetë modeli i aksesit për motorizimet hibride. Ky version i XC90 B5 AWD besojmë do të jetë më i shituri për tregun tonë, ku nafta vazhdon të jetë karburanti i preferuar i të gjithë shqiptarëve.

Vëllimi i motorit do të jetë 2.000kubikë, me dy turbo, në gjendje të zhvillojë 235 kuaj fuqi në regjimin 4.000xhiro. Momenti rrotullues është 488 Nm. Ndihmesa elektrike vjen nga një motor i vogël me 13.6 kuaj fuqi të cilët janë faktor në optimizimin e përgjithshëm të njësisë me naftë. Me këtë kombinim, XC90 arrin të përshpejtojë nga 0-100 km/h për 7.6 sekonda, arrin shpejtësinë maksimale prej 220 kn/h brenda një konsumi mesatar rreth 7litra/100km. Duke konsideruar tërheqjen integrale, vëllimin dhe peshën e konsiderueshme të këtij Suv-i, ky rezultat duket premtues. Me siguri do ta thellojmë në një provë reale sapo të vijë në Shqipëri.

Edhe motorizimet e tjera janë pjesë e rinovimeve ku na tërhoqi vëmendjen versioni ekstrem me benzinë XC90 T8 Twin Engine. Motori 2.0 turbo ofron 303 kuaj fuqi ndërsa motori elektrik i vendosur në aksin e pasëm ofron 88 kuaj fuqi. Në total kemi 391 kuaj fuqi, 0-100 për vetëm 5.8 sekonda. Këtu nuk duhet të harrojmë edhe 45km e autonomisë së motorit elektrik që kryhen me zero litra!

Cili është versioni juaji preferuar? 😉