na ndiq ne

Volkswagen prezanton familjen Golf GT

27/02/2020

A duken të fisme si dikur?

Makinat me siglën GT kanë qenë gjithmonë një vlerë e sthuar në gamën e ofruar. Ky version ishte mburrja e prodhuesit dhe e pronarëve në të njëjtën kohë. Sigla GT ka patur një vend të veçantë padyshim tek prodhuesi gjerman pikërisht tek modeli më i famshëm në botë.

Golf GTI dhe më pas GTD, të propozuara që në vitin 1975, ishin versionet për t’u lakmuar, me një design ndryshe nga seria normale dhe motorë performantë. Performancë, duket se ishte kjo kryefjala në ato kohë kur makinat nuk kishin këtë nivel teknologjik dhe këto mundësi fuqie që motorët e sotëm arrijnë të zhvillojnë.

Po sot, pas 45 vjetësh, në këtë kontekst iperteknologjik, a mendoni se versionet GT do të jenë në gjendje të ofrojnë diçka vërtet të vlefshme mbi versionin normal? Le të shohim se çfarë sjell konkretisht prodhuesi gjerman për publikun.

Familja Golf GT vjen sot me tre versione: Golf GTI me benzinë, GTD me naftë dhe GTE hibride plug-in.

Nga jashtë vështirë të dallosh ndryshimet sepse tre versionet janë shumë të ngjashme midis tyre. Maskerina është si gjithmonë me strukturën si hoje bletësh, por në mbi të, ka një shirit Led që e dallon nga Golf VIII normal. Në zonën e maskerinos gjejmë fenerët e mjegullës në formë konstelacioni me 5 pika ndriçimi dhe ndoshta këtu mjafton çdo gjë që mund të themi për design e jashtëm.

Jo e perceptueshme për syrin është shasia e ulur 15mm për më shumë stabilitet dhe disqet që vijnë në përmasat 18” ose 19” opsionale. Nga brenda sediljet janë në stil sportiv, një trup i vetëm me mbështetësen e kokës ndërsa ngjyrat ndjekin versionin GT të përzgjedhur: gri me të kuqe për versionin GTI, gri për versionin GTD dhe gri me bojëqielli për versionin “ecologjik” GTE.

Duke mos harruar performancën, kryefjala për një version GT, le të shohim fuqitë respektive të çdo versioni.

GTI do të bazohet në motorin 2.0 TSI me 245 kuaj fuqi, GTD do të ketë njësinë 2.0 me naftë TDI me 200 kuaj fuqi dhe GTE ndërsa ruan fuqinë në nivelin 245 kuaj, e arrin këtë falë një njësie 1.4 TSI e kombinuar me motorin elektrik. Kambio këtu është automatike DSG me gjashtë marsha ndërsa autonomia elektrike me ndotje zero dhkon deri në 60 km, sipas të dhënave të deklaruara nga Volkswagen.

Shpejtësia maksimale është 250 km/h ndërsa për versionin GTE, gjatë ecjes vetëm me bateri arrin deri në 140 km/h.