na ndiq ne

Volkswagen ID.4

09/11/2021

Suv-i elektrik është gati

Familja ID, sigla përfaqësuese e modeleve elektrike “made in Wolfsburg”, është zgjeruar me modelin Suv ID.4, i shumëpritur në njëfarë mënyre, duke qenë se segmenti Suv vazhdon të mbetet në trend vazhdimisht në rritje. Në nëntor të vitit të kaluar kemi parë prezantimin e modelit ID.3 nga Porsche Albania (lexo këtu artikullin).

Nga pamja e jashtme, ID.4 është besnike e asaj që mund të pritet pasi njohim ID.3, por me njëfarë përmirësimi në formën e përgjithshme nga jashtë, ndërsa nga brenda duket se ID.4 shkon një hap më tej në drejtim të cilësisë së perceptuar me një ndjesi më premium.

Nga ana përmasave ID.4 është e gjatë 458 cm, e gjerë 277cm dhe e lartë 161 cm. Pavarësisht se nga lartësia ndjesia është ajo e një modeli Suv kompakt (një Tiguan është i lartë 167cm) lartësia nga toka 21 cm premton liri të plotë (Tiguan është 19cm i lartë).

Hapësira nuk mungon në këtë Suv mesatar, e konfirmuar kjo edhe nga kapaciteti i bagazhit: 543 litra në gjendjen normale, që shkojnë deri në 1.575 me sediljen e pasme të palosur.

Duket krejt normale kjo nëse kujtojmë këtu që platforma MEB e ID.4 është plotësisht e sheshtë në pjesën e poshtme, ku strehoet bateria e madhe me ione lithiumi.

Një opsion si ai i tavanit panoramik shton edhe më shumë ndjesinë e hapësirës dhe dritës në bord. Në përgjithësi design-i i brendshëm është deri diku minimalist. Spikasin dy display Led. Kuadri është tërësisht dixhital ndërsa ekrani i sistemit infotainment përfshin navigatorin, aplikacionin Connect me funksionin We Connect Start, për menaxhimin e karikimit si dhe sisteme të tjera si asistenti virtual që aktivizohet me komandën zanore “Hello ID“, sistemin “head-up display” dhe sisteme të tjera që pasurojnë një model që teknologjik dhe modern është që në ADN.

Sistemet Adas (të asistencës në guidë) janë të nivelit 2. Gjejmë këtu Adas IQ.Drive që përfshin Park Distance Control, Lane Assist (ruajtja e korsisë), Autonomous Emergency Braking Front (frenim emergjence), Adaptive Cruise Control (cruise control aktiv) me funksionin Stop&Go dhe Speed Limiter e shumë sisteme të tjera.

Volkswagen ID.4 parashikon disa nivele fuqie, por në debut ofron motorizimin me fuqi 204 kuaj dhe 310 Nm moment rrotullues që garantojnë një performancë të respektueshme për një makinë josportive (siç e tha edhe vetë Elon Musk). 8.5 sekonda mjaftojnë për kohën 0 – 100 km/h ndërsa shpejtësia është e kufizuar në 160km/h për të mbajtur në kontroll “konsumin”.

Volkswagen premton një autonomi maksimale prej 520 km që në kushte normale do të ishin më se të mjaftueshme për të paktën një javë për automobilistin mesatar shqiptar, përveç faktit që mbulon një fundjavë në jug vajtje – ardhje pa nevojë karikimi.

Bateria me kapacitet 77 kWh (dhe peshë 493 kg) në kolonat e fuqishme me 125 kW karikohet pjesshëm për një autonomi rreth 320 km, për 30min.

Çmimet e Volkswagen ID.4 në vendin tonë fillojnë nga 39.000euro për nga versionin me autonomi dhe fuqi më të ulët. Vlen të përmendet këtu që ky çmim më se i arsyeshëm për një SUV të kësaj kategorie, për më shumë elektrik, është i mundur edhe falë heqjes së TVSH-së për makinat elektrike, një shenjë e parë konkrete e qeverisë në kujdesin ndaj mjedisit.

Njëlloj si në rastin e një makine me karburant, do të duhet që secili nga ne të zgjedhë versionin me fuqi dhe autonomi që më shumë na përshtatet, por me ndërgjegjen e qetësuar se jemi duke bërë një zgjedhje të përgjegjshme ndaj mjedisit dhe gjeneratave që do të vijnë.

Për sa na përket ne në vendin tonë, makinat elektrike ofrojnë ndotje zero si në përdorim, si në gjenerimin e energjisë elektrike. Pavarësisht skepticizmit që ende rrethon motorizimin elektrik, duket se “way to zero” slogani i grupit Volkwagen drejt zerimit të ndotjes vazhdon me vendosmëri. A jemi gati?