na ndiq ne

Ulni shpejtësinë, kujdes nga radarët!

07/05/2025

Fillon punë Qendra e Re e Kontrollit të Trafikut

Në fund të këtij muaji, u inaugurua Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, me seli në Kamëz. Kjo duket të jetë një risi e shumëpritur (nga shumë palë) për sigurinë rrugore sepse nga njëra anë duhet të rrisë efikasitetin e identifikimit dhe ndëshkimit të shkelëve të Kodit Rrugor dhe nga ana tjetër besohet se do të eliminojë më në fund praninë fizike të forcave të policisë nëpër rrugë.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në këtë nismë bashkërendohen një sërë projektesh dhe skuadrash dhe gjithçka do të ndërlidhet me projektin e të ashtuquajturit “Revolucionit Digjital” (SmartCity), duke garantuar monitorimin e të gjitha rrugëve 24/7 dhe koordinimin e Policisë Rrugore, Urgjencës Kombëtare Mjekësore dhe Emergjencave Civile.

Qendra do të funksionojë me 122 operatorë, ku në këtë fazë fillestare të monitorimit janë lidhur me kamera 200 km e para, të cilat mbulojnë autostradat kryesore Tiranë-Durrës, Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Fier, Fier-Vlorë, e ku synimi final është mbulimi i 3.650 km që janë aset i inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Siç e thamë më lart, kjo është një nismë që na pëlqen dhe që shpresojmë të japë frytet e synuara, por disa pyetje na lindin në lidhje me mënyrën e aplikimit dhe të fillimit të vënies në punë të këtij sistemi.

Së pari, prania e kamerave nuk është sinjalizuar mjaftueshëm, madje nqs nuk i kërkon me kujdes, vështirë se i dallon. Mendojmë se meqënëse një sistem i tillë në vendin tonë është hera e parë që aktivizohet, do të duhet të ishte i sinjalizuar në mënyrë më të dallueshme. Psh. në autostradë, do të duhej të ishte e sinjalizuar në çdo hyrje të saj, pasi vetëm kështu garantohet informimi i çdo përdoruesi të saj.

VegaCharging, karikues makina elektrike

Së dyti, mund të ishte bërë edhe një fushatë sensibilizimi për të gjithë drejtuesit e auto dhe motomjeteve. Në fund të fundit, objektivi i kësaj nisme duhet të jetë ndërgjegjësimi dhe jo ndëshkimi.
Së treti, nuk është e qartë se si do të komunikohet gjoba e marrë me këtë sistem. Ndoshta është menduar të përdoret platforma e-albania për këtë, por kjo nuk është e mjaftueshme për dy arsye.

Së pari sepse shumë përdorues mjetesh nuk janë familjarë me botën dixhitale dhe së dyti sepse edhe sot që flasim, komunikimi në këtë platformë nuk është efikas dhe korrekt. Kemi shumë raste ankesash nga ndjekës dhe lexues që thonë se njoftimin e kanë marrë disa muaj me vonesë pas shkeljes. Në këtë mënyrë ata kanë humbur mundësinë të paguajnë me zbritjen 50% siç e parashikon ligji brenda dy javëve nga data e gjobës, por akoma më keq ekspozohen ndaj kamatës maksimale, një padrejtësi kjo edhe më e madhe se e para.
Sa po shkruajmë janë pyetje që ia adresojmë këtu publikisht autoriteteve, por që do t’ia drejtojmë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë për të kuptuar më shumë ose ndoshta edhe për t’i ndërgjegjësuar.

E rëndësishme është që të kuptojmë dhe të punojmë për një sistem masash parandalues dhe jo ndëshkues dhe në dobi të qytetarëve. Në fund të fundit, çdo drejtues automjeti dhe motomjeti është edhe anëtar familjeje që makinën e përdor për të shkuar në punë apo për të çuar fëmijët në shkollë dhe masa e gjobës i rëndon në ekonominë e familjare. Nëse mund të evitohet kjo dhe të ulej numri i shkeljeve me minimumin e gjobave do të ishte një zgjidhje ideale, apo jo?