Uber dhe aksidenti fatal
Uber është një kompani amerikane e mirënjohur në studimet e avancuara në drejtimin e guidës autonome, thënë ndryshe, të makinave pa shofer.
Sipas burimeve zyrtare, ditën e djelë, në orën 22.00, në Arizona, një nga automjetet e kësaj kompanie është përfshirë në një aksident fatal, në të cilin ka gjetur vdekjen një grua, e cila me sa duket po kalonte rrugën jo në vizat e bardha. Viktima ka gjetur vdekjen në spital si pasojë e dëmtimeve të pësuara nga aksidenti.
Mendimi ynë i parë i shkon familjes së viktimës, – ka deklaruar zëdhënësi i kompanisë, duke shtuar se kompania po bashkëpunon me autoritetet për të bërë dritë mbi çdo detaj të këtij aksidenti.
Kompania ndërkohë ka ndërprerë pa afat çdo hap të mëtejshëm në studimet e saj në të gjithë Amerikën dhe Kanadanë.
Makinat e Uber, siç natyrshëm vjen të mendosh, janë të pajisura me sisteme të avancuar radarësh dhe kamerash të cilët duhet të jenë në gjendje të dallojnë njerëzit, kafshët dhe çiklistët në lëvizje ose edhe kur janë në prehje. Aksidenti në fjalë ngrin shumë pikëpyetje mbi vlerën dhe funksionimin e sistemeve të sigurisë të cilët kësaj rradhe haptazi nuk kanë funksionuar.
Zëra të pakonfirmuar pohojnë se makina ishte duke ecur pa asnjë në bord, ndryshe nga sa parashikon rregullorja e kompanisë, që kërkon që një njeri të jetë gjithmonë në timon, i gatshëm për të ndërhyrë në çdo moment që të jetë e nevojshme.
Aksidenti ka ndodhur në Tempe, Arizona, në një rrugë të lirë. Arizona është një ndër shetet më të lirshëm për sa i përket testimeve dhe provave të guidës autonome dhe ky aksident me siguri mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhmen e këtyre normativave. Në SHBA, makinat e destinuara për teste dhe kolaudime të tilla nuk kanë nevojë për asgjë tjetër përveç rregjistrimit dhe targimit të zakonshëm. Ndryshe nga Arizona, në disa shtete është e detyrueshme të sinjalizohet në rrugë nëse janë duke u zhvilluar teste të tilla, deri në pikën që të lejojnë të tilla teste vetëm në zona të dedikuara e të mbikqyrura. Kjo është edhe arsyeja që Google zhvillon testet e saj në mjedise të krijuara posacërisht për të tilla studime.
Ky aksident ngrin disa pikëpyetje të pashmangshme kundrejt marrëdhënies makinë – njeri, sidomos kur kompania në fjalë propagandonte se makina në drejtim është shumë më e sigurtë se njeriu.
Aksidentet nganjëherë janë të pashmangshme dhe ky episod nuk do të ndryshojë rrjedhën e progresit, por padyshim që do ta influencojë atë.
Së pari duke na sjellë me këmbë në tokë mbi kohën e nevojshme që njeriu t’i dorëzojë timonin makinës. Eksperimentet e kohëve të fundit kanë qenë të shtyrë në maksimum në mënyrë artificiale për arsye të projekteve komerciale (Uber që në planet e saj ka ndërtimin e një rrjeti taksish autonome) apo edhe të një konkurrence midis prodhuesve të ndryshëm për të fituar një betejë teknologjike.
Së dyti, duke reflektuar mbi një rregullore të dedikuar që të mund të vërë në plan të parë sigurinë, që nganjëherë, gabimisht, nënvlerësohet.
Është momenti për të ngadalësuar dhe për të reflektuar mbi vizionin e ardhshëm që duam të ndërmarrim, të kuptojmë çfarë dobie kundrejt çfarë kostosh ka dhe mbi të gjitha, për të vlerësuar objektivisht nëse progresi është i arritshëm ose jo.