na ndiq ne

Toyota Yaris Hybrid

30/09/2020

E re, sportive, ekologjike

Toyota ka prezantuar këtë verë modelin e ri të segmentit B, i cili rikonfirmohet modeli më i shitur në Europë në këtë segment. Toyota Yaris e re, ka shitur vetëm vitin e kaluar 224.000 njësi në kontinentin tonë, duke mbetur modeli më interesant për këtë segment dhe brenda gamës së prodhuesit Japonez.

Toyota Yaris e re do të prodhohet në stabilimentin francez të quajtur Toyota Motor Manufacturing i cili ndodhet në Onnaing ku janë investuar mbi 300 milionë euro për prodhimin e automjeteve të reja të grupit japonez të bazuara në platformën TNGA (Toyota New Global Architecture).

Toyota Yaris vjen kështu në gjeneratën e saj të katërt ku të themi të drejtën, duket sikur përmirësimi total ka qenë kryefjala e këtij modeli. Design është totalisht i ri me një pamje të zhdërvjellët dhe me impakt, pavarësisht përmasave, që mbeten poshtë kufirit 4 metra, siç një citycar duhet të jetë. Modeli i ri ka më shumë “muskuj” se çdo model paraardhës. Kjo evidentohet nga maskerino e re, e madhe dhe e hapur drejt asfaltit, nga parafangot më të dala në profil ndërsa në pjesën e pasme, edhe pse design nuk sjell asnjë element revolucionar, mbetet me karakter dhe në harmoni me imazhin dinamik që modeli i ri do të sjellë.
Shasia e re është 4 cm më e ulët se modeli paraardhës dhe së bashku me 5 cm më shumë në gjerësi, i japin jo vetëm një pamje më sportive, por ndikojnë edhe në ekuilibirin e makinës dhe në sjelljen e saj dinamike në dobi të kënaqësisë së guidës.

Me fjalë të tjera, bariqendra më e ulët premton më shumë qëndrueshmëri në guidën sportive. Për të përmirësuar komoditetin në bord dhe për të ulur vibrimet, i gjithë skeleti është përforcuar, gjë që shkon edhe në dobi të sigurisë pasive.
Brenda design është i pastër dhe i pangarkuar, por edhe teknologjik, edhe përtej mundësive mesatare të këtij segmenti. Spikat kuadri thuajse tërësisht dixhital së bashku me një ekran të madh që shërben si qendër komande për sistemin infotainment, ku natyrisht përfshihet edhe navigatori. Butonat fizikë janë zhdukur thuajse fare, përveç komandave të klimatizatorit (“shyqyr zotit!” thotë dikush) dhe disa butonave për të hyrë shpejt në disa menu të infotainment.

Teknologjia pasurohet këtu edhe me projeksionin e informacioneve kryesore në xhamin e përparmë (head up display), teknologji kjo e rrallë në këtë segment ndërsa siguria prej disa kohësh ka fituar një rol dominant në Toyota-t e viteve të fundit, duke rritur ndjeshëm standardet.

Së pari edhe këtu gjejmë një airbag “novator” të cilin e ka shpikur vetë Toyota. I pozicionuar midis shoferit dhe pasagjerit përpara, ky airbag eviton përplasjen midis të dyve në rast aksidenti, shpesh problematike me pasoja të rënda. Toyota ofron që në versionin bazë opsionet e frenimit të emergjencës në gjendje të dallojë kalimtarët dhe ciklistët, ruajtjen e trajektores (korsisë) dhe Cruise Control aktiv që shkon deri në frenim total të automjetit dhe rinisje deri në shpejtësinë e paracaktuar në mënyrë automatike. Me fjalë të tjera, mund të themi se Toyota Yaris e re është e pajisur me sisteme Adas që e klaisifikojnë atë në nivelin 2 të guidës autonome.
Të reja ka edhe në drejtim të motorizimeve. Më interesantja është ajo e versionit hibrid, e bazuar në një njësi të re me vëllim 1.500 kubikë me tre cilindra dhe 91 kuaj fuqi, më se të mjaftueshëm për një guidë “të gazuar” për një makinë më pak se 4m të gjatë. Në fakt fuqia totale e sistemit është 116 kuaj fuqi, sepse shtohet këtu edhe ndihma e motorit elektrik (i cili më vete ka 79 kuaj fuqi). Bateria në këtë gjeneratë është me Lithium, një hap përpara krahasuar me modelin e mëparshëm. Toyota deklaron një kohë nga 0-100 km/h për 10.5 sekonda. Në versionin hibrid, kambio është automatike e llojit eCvt, një lloj patente e veçantë e Toyota-s.
Lajme të mira vijnë nga konsumi. Një makinë me një performancë të mirë premton një konsum prej 3.6 litrash/100km.