Toyota Yaris është Makina e Vitit 2021
Hibridja Japoneze bind jurinë për herë të dytë
Makina e Vitit (çmimi më prestigjioz ndërkombëtar i sektorit Automotive) për vitin 2021 është Toyota Yaris. Ky ka qenë vendimi i jurisë i përbërë nga 59 gazetarë nga e gjithë Europa të cilët kanë vlerësuar kompakten japoneze të gjeneratës së katërt si modelin më të kompletuar për këtë vit.
Yaris ka qenë shpesh ndër vite kandidate për këtë çmim dhe kjo është hera e dytë që Toyota Yaris kurorëzohet fituese. Toyota Yaris është vlerësuar veçanërisht nga juria për disa karakteristika të versionit hibrid, që siç mund të kuptohet lehtë janë emetimet e ulëta shoqëruar me vetitë në guidë, që nëse mbani mend nga artikulli ynë (lexo këtu artikullin tonë të plotë për Toyota Yaris hibride) versioni hibrid (full hybrid) është edhe një nga më të fuqishmit me 116 kuaj fuqi.
Krahas këtyre vetive, duket se janë vlerësuar edhe karakteri dinamik dhe një nivel sigurie i rritur, cilësi këto që vlerësohen si themelore nga mbi 80% e klientëve.
Ky çmim duket se vjen natyrshëm pak ditë pas kurorëzimit të Yaris-it si modeli më i shitur në Europë. Si të thuash, një model që pa asnjë kundërshtim merr pëlqimin e publikut (shitjeve) dhe jurisë njëkohësisht.
Kolosi Japonez është fitues i përsëritur në këtë çmim. Për herë të parë e ka fituar në vitin 2000 me modelin Yaris të gjeneratës së parë , me Toyota Prius në vitin 2005 dhe sërish këtë vit me Yaris gjenerata IV, ku teknologjia hibride “jep sërish një dorë”.
Toyota Yaris është modeli i tretë që fiton këtë çmim dy herë rresht. Modelet e mëparshme janë Renault Clio (1991, 2006) dhe Volkswagen Golf (1992, 2013).
Vendin e dytë e zuri Fiat New 500 ndërsa në vendin e tretë gjejmë neomarkën spanjolle (me gjak gjerman) Cupra Formentor.
Pjesëmarrësit e këtj viti ishin 29 ku gjejmë emra prestigjiozë si Audi A3, BMW Seria 2 Gran Coupé dhe Seria 4, Ford Explorer dhe Kuga (e re), Hyundai i10, i20 dhe Tucson, Land Rover Defender, Mazda MX-30, Mercedes GLA, GLS, GLB, S Class, Peugeot 2008, Polestar 2, Toyota Mirai dhe Volkswagen Golf. Lista e plotë e finalistëve rendit këta shtatë modele si më votuarit në shtete të ndryshme:
Makina e Vitit 2021 (Car of the Year 2021):
1° Toyota Yaris – 266 pikë
2° Fiat New 500 – 240 pikë
3° Cupra Formentor – 239 pikë
4° Volkswagen ID.3 – 224 pikë
5° Skoda Octavia – 199 pikë
6° Land Rover Defender – 164 pikë
7° Citroën C4 – 143 pikë