na ndiq ne

Toyota Prius, gati gjenerata e Gjashtë

29/11/2022

Për Europën vetëm Plug-in

Ishte vetëm viti 1997 kur Toyota propozonte makinën e parë hibride për prodhim masiv. Në vitin 2007 votohet në USA si makina më e pastër për sa i përket ndotjes mjedisore.

Që atëherë Prius është bërë një ikonë e teknologjisë “green” duke u bërë zgjedhja e parë e të gjithë përdoruesve të ndjeshëm ndaj mjedisit, por njëkohësisht edhe një pionier teknologjik.

E prezantuar tashmë në sallonin e Autos në Los Angeles, Toyota Prius vjen në gjeneratën e gjashtë me sa duket me shumë risi, estetetike dhe teknologjike.

E bazuar në platformën modulare GA-C (të familjes TNGA) Prius vjen së pari me një design të rinovuar. 5 cm më e ulët se modeli i mëparshëm, 2.2cm më e gjerë, duket se Prius e re mund të shpalosë një stil më sportiv se çdo version i mëparshëm. Prius e re është 4.6cm më e shkurtër, por rritja e distancës me 5 cm premton një hapësirë të përmirësuar në bord.

Stili i ri duket të jetë disi minimalist, me linja të pastra, por më modern. Nga pamja e përparme Prius e re ngjason më shumë me një makinë elektrike sesa me një makinë “tradicionale”. Maskerino tradicionale thuajse është zhdukur duke u zëvendësuar me dy gojëza ajri horizontale ku zënë vend dritat e para Led, të holla dhe gjeometrike, thuajse agresive, që kompletojnë në mënyrë harmonike design-in e turirit.

Në kompleks kemi një imazh të një makine të gjeneratave të së ardhmes, në stil të plotë “electric look”. Ajri futet në motor kryesisht nga “goja” e poshtme e cila e dekoruar me bordin e aluminit ka një pamje të kuruar. Në profil Priusi është gjithashtu më dinamik ku design-erat tregojnë një dozë të shtuar kurajoje krahasuar me gjeneratat e mëparshme. Kjo duket qartë tek parafango e pasme, gati muskuloze ndërsa në tërësi profili është më i përpunuar në linja, edhe pse më i pastër në tërësi, duke “zhdukur” edhe dorezat e dyerve.

Pjesa e pasme është e ngritur dhe kulmon ne një formë gati gati si një spoiler, duke konfirmuar frymën sportive të gjeneratës së re. Dominon një shirit led i hollë por që mbush thuajse gjithë gjerësinë në pjesën e pasme dhe menjëherë poshtë, në pjesën metalike të telajos spikat shkrimi Prius me shkronja në reliev.

Edhe brenda Priusi i ri vjen i përmirësuar dhe me elementë modernë siç është ekrani i madh led në qendër të kruskotit së bashku me kuadrin, tërësisht dixhital. Si element pozitiv mund të përmendim faktin që komandat e klimatizatorit janë ende fizike dhe jo me prekje siç shohim shpesh tashmë. Leva e marshit mbetet gjithashtu pak a shumë tradicionale, edhe pse e minimizuar në përmasa.

Motorizimi duket se në Europë do të jetë “i varfër” me vetëm një version. Powertrain-i hibrid përbëhet nga një motor me benzinë 2.000 kubikë me 148 kuaj fuqi i shoqëruar nga një motor elektrik me 160 kuaj fuqi. Fuqia totale e kombinuar është “vetëm” 223 kuaj, por mjaftueshëm për ta shtyrë lirshëm Prius-in e re në çdo situatë.

Ende nuk ofrohen info zyrtare nga Toyota mbi autonominë vetëm në ecjen me bateri, por bateria me kapacitet 13,6 kWh e vendosur poshtë sediljeve të pasme duhet të ofrojë se paku rreth 50km. Opsion me pagesë, por ndoshta i dobishëm, do të jenë panelet diellore të vendosura në tavan, por edhe këtu nuk kemi ende info mbi fuqinë e karikimit.

Data zyrtare e prezantimit duket se është vendosur 5 dhjetori, por dorëzimet e para do të fillojnë jo më parë se muaji mars i vitit të ardhshëm.