na ndiq ne

Toyota me dy elektrike të reja

19/04/2023

Prezantohen në Shanghai modelet e reja të familjes bZ

Salloni i Shanghait  është tashmë një nga më të rëndësishmit në rang global për nga vëmendja që çdo prodhues i sektorit automotive i kushton. Tregu kinez në këtë sektor është padyshim një nga më të rëndësishmit, aq shumë sa vitet e fundit, tregu europian, vuan gjithmonë e më shumë nga mungesa e vëmendjes së prodhuesve.

Kolosi botëror japonez Toyota, ka zgjedhur pikërisht këtë sallon për të prezantuar dy prototipe  të reja (concept) të familjes elektrike bZ (kliko për bZ4X)

Modelet në fjalë janë një Crossover dhe një Suv. Këto modele parashikohet të debutojnë në tregun kinez vitin tjetër, pjesë e një “flote” prej dhjetë modelesh të reja elektrike, të cilat do të shpalosen për publikun deri në vitin 2026 sipas parashikimeve. Le t’i shohim këto modele nga afër.

Prototipi bZ Sport Crossover Concept është një Crossover kompakt që i drejtohet gjeneratës Z, një klientele të re që sot janë ende pa mbushur tridhjetë vjeç. Ky model merr shumë nga modeli tjetër i familjes bZ4X dhe paraqitet me linja sportive dhe moderne. Forma është më shumë ajo e një veture të lartë nga toka, por elegante si një coupé dhe e modernizuar me teknologjinë bashkëkohore si jashtë, ashtu edhe brenda.

Në hapësirën e brendshme spikat në një lloj trajtimi esencial nga ana stilistike, me kruskotin e drejtë, “sipër” të cilit janë vendosur dy ekrane dixhitale ndërsa timoni në formë “cloche” avioni do të përforcojë modernizmin e kësaj makine. Hapësirat e xhamave dhe dritareve janë të mëdha dhe fusin shumë dritë në kabinë. Kurioz është fakti që ky prototip do të ketë disa funksione që do të përditësohen rregullisht pas blerjes.

Modeli bZ Sport Crossover Concept është zhvilluar në bashkëpunim me dy kompani kineze Byd dhe Faw, dy kompani serioze që po bëjnë hapa të rëndësishëm vitet e fundit me modelet që po hedhin në treg.

Modeli tjetër është bz FlexSpace Concept, një SUV me përmasa të mëdha që synon të ofrojë një model komod dhe të sigurt me hapësira të mëdha dhe teknologji të avancuar.

Kohë më parë Toyota ka theksuar se një ndër objektivat e saj është të krijojë një makinë ideale për familjen dhe miqtë. Nga ana estetike, ky model paraqet linja më harmonike dhe të “zbutura” pavarësisht ngjashmërive.

Edhe këtu nga brenda gjejmë linja esenciale me disi më shumë elegancë, timonin në formë “cloche” avioni, por me vetëm një ekran në qendër të kruskotit dhe me një head-up display në vend të ekranit tjetër, me funksionet e nevojshme për shoferin. Ky model është zhvilluar në bashkëpunim me partnerin lokal Gac, një tjetër prodhues që po bën hapa seriozë në sektorin automotive.

Të dy këto modele janë ende në fazë zhvillimi, kështu që shumë detaje të tjera do të ofrohen nga Toyota së shpejti.