na ndiq ne

Toyota Hilux rinovohet

10/11/2020

Rritet siguria dhe komoditeti

Modelet pick-up nuk kanë qenë ndonjëherë prioritet i tregjeve europiane, edhe pse në fakt shifrat e tyre vitet fundit vijnë në rritje. Ato mbeten një zgjidhje ideale për të gjithë ata që kanë nevojë të kenë një mjet shumëfunksional dhe në veçanti për ata që ruajnë shpirtin e aventurës dhe të eksplorimit.

Një ndër modelet e parë që të vjen ndërmend ktëu është padyshim Toyota Hilux, në shitje që prej 1968 dhe që aktualisht është në gjeneratën e saj të tetë.
Prodhuesi japonez e ka rinovuar pick-up-in e suksesshëm duke e rinovuar atë nga nga ana estetike, teknologjike dhe e sigurisë.

Nga ana estetike ndryshimi kryesor është ai i pamjes ballore që vjen me një maskerino në formë trapezi, më e “fryrë” dhe muskuloze. Pamja është edhe më teknologjike, falë fenerëve me design modern dhe elementë Led.

Hilux i ri, edhe pse në të vërtetë bëhet fjalë për një operacion facelift, pra një rinovim i lehtë, pasurohet ndjeshëm nga ana teknologjike. Në këtë gjeneratë do të gjejmë ruajtjen e korsisë, stop&go, cruise control aktiv që shkon deri në ndalimin e plotë të makinës dhe rinisjen e saj në raste autokolonash në autostradë.

Edhe siguria rritet, me elementë teknologjikë si frenimi i emergjencës i cili është në gjendje të dallojë tani këmbësorët dhe çiklistët.
Motorizimi pasurohet me një njësi të re 2.800 kubikë turbodiesel me 204 kuaj fuqi, përveç njësisë së “vjetër” 2.400 kubikë me 150 kuaj. Njësia 2.800 kubikë është në gjendje të pranojë ngarkesa deri në një ton dhe fuqi tërheqëse deri në 3.5 tonë.

Për të dyja njësitë kambio është manuale ose automatike dhe ofron edhe marshat e “shkurtra” që mundësojnë funksionim me raporte transmetimi të reduktuara për ta përdorur fuqinë e motorit jo për shpejtësi për fuqi tërheqëse në kushte të vështira guide si në terrene të thepisura, gjol, rërë, etj.

Interesant është këtu fakti që Toyota Hilux ka një lartësi nga toka që shkon nga 22 deri në 29cm. Tërheqja në kushte normale është mbrapa ndërsa aksi tjetër mund të aktivizohet në rast se nevojitet. Diferenciali i pasëm mund të bllokohet për të ofruar tërheqjen maksimale në kushte të vështira. Këtu mund të përmendim faktin që Hilux i ri mund të përballojë me lehtësi kurrize të vështira dhe zhytje deri në 70 cm thellësi.

Modeli i ri ka përmirësuar ndjeshëm edhe guidën në asfalt falë përmirësimeve në sistemin e drejtimit dhe amortizimit. Në këtë mënyrë garantohet më shumë stabilitet në rrugë dhe komoditet në bord.
Fleksibiliteti është një tjetër pikë e fortë e Hilux-it me dy versione kabine, me dy dhe katër dyer dhe mundësi të ndryshme pajisjesh opsionale në bord.

Versioni ExtraCab, me dy dyer, mund të jetë më i përshtatshëm si një mjet pune i mirëfilltë, ndërsa versioni Double Cab ofron hapësirën e mjaftueshme për ta bërë Hilux-in e ri edhe një makinë familjare të bollshme. Kjo përforcohet edhe nga prania e një sërë aksesorësh dhe opsionesh tipike të një makine komode siç janë një ekran i madh për sistemin infotainment (me navigator), ndërlidhjen me celularët Apple dhe Android, ndërlidhje USB, e shumë komoditete të tjera të nevojshme.