na ndiq ne

Toyota C-HR dhe Corolla Black Edition

19/05/2021

Dy sportive “Made in Japan” që shkelin syrin

Toyota zgjeron buqetën “Black Edition” me dy modele të reja që i shkelin syrin klientelës më kërkuese. E kemi fjalën këtu për një seri të kufizuar të dy ndër modelet Toyota më të shitura në botë: Corolla GR Sport dhe C-HR Hybrid.

Modelet e kësaj linje karakterizohen nga një “look dark” me përdorim të bollshëm të ngjyrës së zezë në tonalitete të ndryshme, përfshirë edhe ato elemente që zakonisht janë të kromuara ose me ngjyra siç mund të jetë maskerino, disqet, parafangot, etj.

COROLLA GR Sport Black Edition paraqitet në ngjyrë të zezë Black Met, disqe me përmasa 18” të zeza thuajse tërësisht me një lojë të lehtë elementësh të kromuar, sapër t’i dhënë pak gjallëri. Edhe pamja ballore është thuajse 100% e zezë me përjashtim të një vije të hollë të kromuar në zonën e poshtme të parakolpit, ndërsa në zonën e pasme elementin e kontrastimit me të zezën e përgjithshme e bën tubi i shkarkimit të gazrave.

Pamja sportive e jashtme pasurohet edhe me elementë sportivë nga brenda. Pamja e përgjithshme është sërish e errët me ngjyrën e zezë dominante, të kontrastuar nga tegelët e qepjes së sediljeve me fije të kuqe, të cilët janë edhe ngjyrat e skuadrës Gazoo Racing.

Corolla GR Sport Black Edition do të ofrohet vetëm në versionin hatchback (me pesë dyer) me motorin 2.000 kubikë në versionin Hybrid Dynamic Force, i cili zhvillon 184 kuaj fuqi. Ky model do të jetë gati për porosi nga fundi i muajit maj.

Modeli SUV C-HR Black Edition prezantohet gjithashtu në versionin Black Met. Edhe këtu gjejmë disqet 18”, por boja e zezë Black Matte në këtë rast mbulon 100% disqet, ndërsa elementi i kromuar në pjesën ballore është më i dukshëm dhe më solid në paraqitje, siç shpesh ndodh në modelet Suv.

Nga brenda gjithashtu gjejmë të njëjtën temë, me sediljet në lëkurë të zezë ndërsa në impiantin audio – infotainment gjejmë një sistem Premium JBL me 9 altoparlantë. Dekori teknologjik pasurohet me paketën “Tech pack” që përfshin fenerët dhe dritat e pasme Led dhe një sërë elementësh në ndihmë të shoferit si psh LCA (Lane Change Assist – ruajtja e korsisë), BSM (Blind Spot Monitor – sistem alarmi për këndin e verbër) dhe RCTA (Rear Cross Traffic Alert – sinjalizim për mjetet që na presin rruugën kur jemi duke ecur mbrapsh) dhe Toyota Safety Sense. Këtyre i shtohen natyrisht edhe sensorë, kamera, e shumë sisteme të tjera. Toyota C-HR është e pajisur me motorin 1.800 kubikë me teknologji Full hybrid (hibride me vetëkarikim) dhedo të jetë gjithashtu e disponueshme për porosi nga muaji Maj i këtij viti.