na ndiq ne

Tesla Model Y vjen në Europë

02/09/2021

Gati për elektriken?

Tesla Model Y është suv-i kompakt i prodhuar për të konkurruar në segmentin e makinave si BMW X4 apo Audi Q5. Të paktën ky do të ishte pozicionimi i saj nisur nga përmasat. Model Y është 478 cm e gjatë, 185 cm e gjerë dhe 160 cm e lartë me një lartësi nga toka që arrin 17 cm.

Model Y ka mbërritur tashmë në Europë. Për të qenë më të saktë, Milano është ndoshta qyteti më afër nesh ku mund të vizitosh një konçesionar Tesla dhe ku gjejmë edhe Modelin Y. Modelet për Europën normalisht duhet të prodhohen në Berlin (mbani mend vizitën e Elon Musk në Gjermani përpara një viti?) por ende edhe për disa kohë modelet që do të vijnë në Europë do të jenë të prodhuara në Shangai.

Model Y ofrohet në dy versione Long Range dhe Performance. Tërheqja është integrale për të dyja versionet dhe performanca (e premtuar) si në çdo Tesla i shkel syrin më entuziastëve të katër rrotave.

Model Y Long Range përshpejton nga 0 – 100 km/h  për vetëm 5 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale 217 km/h, ndërsa versioni Performance e bën këtë për vetëm 3,7 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale 240 km/h.

Versioni Long Range kushton (në Itali) 60.900euro ndërsa versioni Performance 8.000euro më shumë, saktësisht 68.900euro.

Pak më parë folëm për krahasim (përmasash) midis Tesla Model Y dhe BMW X4 dhe Audi Q5. Mund të kishim përmendur edhe modele të tjera si Volvo XC60, Mercedes GLC apo Jaguar E-Pace e shumë të tjera. Vini re që po përmendim vetëm marka dhe modele premium sepse duke parë çmimin, do të ishte e padrejtë të krahasonim model Y me një model që kushton sa gjysma e saj.

Është e vërtetë që nëse do të shikonim versionet elektrike të së njëjtës kategori, pra një Suv premium elektrik, do të ishin më shtrenjtë se Model Y. Kjo na çon në konsideratën e përgjithshme që makinat elektrike ende janë ndjeshëm më shtrenjtë se makinat me motorë endotermikë, por për blerësin (shqiptar), një krahasim “kokë më kokë” është i paevitueshëm midis këtyre modeleve alternative, kështu që një krahasim edhe pse indirekt, është i paevitueshëm.

Si është Model Y? Nga jashtë design-i është i kuruar. Duket se në vëmendje të projektuesve ka qenë aerodinamika dhe sportiviteti. Tesla Model Y ka linja harmonike që evidentojnë muskujt, por e bën këtë me sipërfaqe të lëmuara, pa cepa, relieve apo rakordime gjeometrike midis pjesëve të ndryshme. Rezultati është i mirë, por nuk mund të themi se shquhet për origjinalitet. Në model Y gjejmë detaje që ngjasojnë me modele të tjera ekzistuese, kryesisht nga design i viteve të fundit Ford dhe Mazda. Për një makinë që kushton mbi 60.000euro, ky nuk është një element që ndihmon në bindjen e blerësit të pavendosur.

Nga brenda Model Y merr thuajse çdo gjë nga modeli hatchback Model 3, nga i cili merr në fakt edhe platformën dhe pjesën tjetër teknologjike. Mund të thuhet “esenciale” ose “e pangarkuar” por në fakt ndjesia që të jep (së paku në foto) është më shumë ajo e një hapësire bosh. Më shumë se i pangarkuar, duket si një kruskot ku mungojnë gjëra. Mungon një kuadër, ndoshta sepse jemi tradicionalistë, por kështu i njohim makinat që kur kemi lindur.

Kur vendos duart mbi timon, pritet të kesh përpara normalisht një tregues shpejtësie, autonomie, km që ke bërë që kur je nisur, etj. Tesla Model Y nuk e ofron këtë gjë. Gjithë sa ofron është një monitor gati sa një tv i dhomës së gjumit në qendër të kruskotit, i cili i ofron informacionet e nevojshme, por nuk ka asgjë tjetër. Ah, po, ka edhe vend për dy shishe uji në zonën ku zakonisht gjendet blloku i komandave, kaq.

Të gjithë e dimë që kur kalojmë në krahun e makinave europiane të këtij segmenti, jemi mësuar me një trajtim premium. Cilësia, design, teknologjia dhe çdo element tjetër janë të kuruar në maksimum, madje edhe duke kursyer ndjeshëm nga sa kushton një Model Y.

Megjithatë është momenti të kujtojmë që Tesla nuk lindi si marka më premium apo më performante. Tesla lindi si një markë alternative, e re, ndryshe nga çdo gjë tjetër që ekzistonte më parë. Kjo jo vetëm si energji lëvizëse, por më e rëndësishmja si filozofi.

Tesla mendon se së shpejti në kabinat e makinave të saj timoni do të zhduket, ose do të paloset diku për rast nevoje, kështu që edhe gjithë “takëmet” me të cilat ne jemi mësuar, më mirë të zhduken. Duhet të mësohemi me këtë sepse tashmë ka ardhur koha të mendojmë për makinën jo më si mjet që e ngasim, por si mjet që na transporton nga A në B. Jeni dakord?

Në fund të fundit, siç e thamë Tesla Model Y kushton më pak se modelet europiane elektrike, shenjë kjo që na kujton se teknologjia e re është ende e shtrenjtë për të gjithë.