Taksat për automjetet SHBA: cilët prodhues goditen më shumë?
Vendoset tarifa e re 25% mbi të gjitha makinat që nuk janë prodhuar në SHBA.
Bursat e gjithë botës janë tronditur nga momenti që presidenti Donald Trump deklaroi se do të vendoste taksa për produktet e importit. Një nga sektorët që goditen më shumë nga kjo taksë është padyshim ai automotive, edhe për arsyen e thjeshtë se makina është një ndër investimet më të mëdha në buxhetin e çdo familjeje. Ajo që është disi pa kuptim është fakti që kjo taksë do të godasë edhe shumë marka amerikane, modelet e të cilave prodhohen jashtë territorit amerikan.
Duket se më e fituara nga kjo taksë rezulton Tesla dhe kjo gjë ngjall jo pak dyshime mbi infuencën e “ministrit” më të pazakonshëm në historinë e politikës amerikane, Elon Musk, njëkohësisht edhe CEO dhe aksioneri më i madh i kompanisë Tesla. Por le të shohim se si do të goditen nga kjo taksë markat e ndryshme.
Markat gjermane
Duket se Grupi Volkswagen mund të jete ndër më të dëmtuarit duke qenë se ka vetëm një fabrikë në ShBA, ku prodhohen modelet Atlas dhe ID.4. Modelet e tjera Audi dhe Volkswagen për tregun amerikan prodhohen në Meksikë, ndërsa Porsche prodhohet në Gjermani dhe Bentley në Angli.
BMW dhe Mercedes do të pësojnë një goditje disi më të butë sepse kanë në pjesë të rëndësishme të prodhimit në territorin amerikan, pavarësisht se disa pjesë edhe për këto modele, importohen nga Europa.
Grupi Stellantis
Prodhuesi që bashkon Italinë, Francën dhe ShBA do ta vuajë jo pak këtë taksë të re sepse shumë modele, gati 75% e tyre, prodhohen jashtë Amerikës. Kështu edhe Chrysler, Dodge, Jeep e Ram do të kushtojnë më shumë krahas modeleve Peugeot, Citroën apo Fiat dhe Alfa Romeo.
Markat Japoneze
Taksa e re do të godasë jo pak markat japoneze. Dihet që prej kohësh, për shumë prej tyre, Amerika është një ndër tregjet kryesore. Vetëm Toyota ka shitur mbi 2.3 milionë automjete gjatë vitit 2024, ku rreth 1 milion është importuar.
Markat Koreane
Kolosi korean Hyundai (që përfshin edhe Kia dhe Genesis) do të shohë dy realitete të ndryshme. Për shumicën e automjeteve elektrike nuk do të ketë pasoja sepse grupi do të korrë frytet e 21 miliardë dollarëve të investuar për ndërtimin e dy fabrikave në territorin amerikan, por çmimet e modeleve të tjera “tradicionale” do të taksohen me 25%.
Markat Amerikane
Shumë prodhues amerikanë, për efekt të globalizimit ekonomik, kanë delokalizuar disa qendra prodhimi dhe modelet e tyre do të quhen të importuara njësoj si markat europiane apo japoneze.
Grupi General Motors importon thuajse 40% të makinave që shet brenda vendit. Grupi Ford është ndoshta më pak i godituri sepse prodhon brenda vendit gati 80% të modeleve me logon blu. Edhe kjo sasi nuk është me taksë zero sepse disa pjesë importohen, por impakti është me siguri më i vogël.
Tesla
Tesla është prodhuesi që do të vuajë më pak nga taksa e re. Fakti që shumicën dërrmuese të prodhimit e realizon në fabrikat e saj në Kaliforni dhe Teksas. Elon Musk ka thënë se tesla do ta vuajë taksën gjithsesi, sepse blen shumë pjesë nga jashtë, por kjo është ende për t’u parë dhe provuar.
Markat e luksit
Duket se markat e luksit do ta vuajnë më pak taksën e re. Kjo për faktin e thjeshtë se klientela e pasur dhe kërkuese, do ta vuajë më pak faktorin çmim krahasuar me klientelën e gjerë që shumicën e rasteve blen modele ekonomike dhe me këste.
Një fenomen i ngjashëm ka ndodhur edhe më parë, në momente krize të sektorit automobilistik apo ekonomik, kur rezulton se sektori i makinave të luksit është pikërisht ai që ka vuajtur më pak.
Në këtë grup gjejmë marka si Porsche, Bentley, Rolls Royce, Lamborghini, etj. klientela e apasionuar e të cilave duket se e “vuan” më pak faktorin çmim dhe janë më të gatshëm të paguajnë edhe çmim më të lartë për modelet e tyre të preferuara.
Ferrari për shembull i ka rritur çmimet që tani edhe për modelet që janë blerë por nuk janë dorëzuar ende, pasi në kontratë janë parashikuar edhe këto klauzola.