na ndiq ne

Skoda Karoq prezantohet në Sheshin Skënderbej

15/02/2018

Falë punës serioze të disa operatorëve, ndodh që publiku shqiptar nuk është më vetëm spektator në distancë, por edhe protagonist nga afër i eventeve apo iniciativave të ndryshme. Është ky rasti i Porsche Albania, që përzgjodhi Sheshin Skënderbej, vendtakimin e ngjarjeve më të rëndësishme në Shqipëri, për të prezantuar modelin më të ri të ŠKODA-s, të pagëzuar Karoq. Na u duk zgjedhje me vend, sidomos pasi patëm kënaqësinë të strehoeshim (nga shiu) në instalacionin modern ndërtuar në harmoni me linjën e re të dizajnit ŠKODA, bazuar në kulme dhe forma gjepometrike trekëndore.

Në prezantim ishin të pranishëm i gjithë stafi drejtues i Porsche dhe ŠKODA Albania, ku Z. Gentian Bushati, drejtor i Përgjithshëm i Porsche Albania, bëri një përmbledhje të arritjeve kryesore të Porsche Albanias gjatë 2017, ku me sa duket, pritshmëritë edhe për 2018 janë që ky grup të ruajë pozicionin e lidershipit për tregun shqiptar.

Mbrëmjen e pasuruan edhe të ftuar të shumtë nga bota e media-s, si gazetari dhe prezantuesi i mirënjohur Blendi Salaj, përfaqësues nga bota e spektaklit, etj.

Skoda Karoq është prezantuar për publikun mbarëbotëror vitin e kaluar duke marrë simpatinë e shumë automobilistëve, gjë që me sa duket rrit pritshmëritë e markës çeke në Shqipëri.

Provë e kësaj është edhe vlerësimi me çmimin “Timoni i Artë” në kategorinë e “SUV Kompakt” nga dy revistat prestigjoze gjermane “Auto Bild” dhe “Bild am Sonntag”.

Nga jashtë Karoq-u na bindi për linja moderne, me një look bashkëkohor, që duket se ia del mirë të ruajë trashëgiminë ŠKODA në design. Konfirmim i një design-i të kuruar është edhe çmimi “Best Design” për kategorinë e saj nga revista gjermane ‘Auto Motor und Sport’. Në 4.3 metra gjatësi dhe 18 cm distancë nga toka, KAROQ  është një propozim interesant për terrene të ndryshme edhe për aventurat jashtë asfaltit.

Nga brenda Karoq ruan ngjashmërinë me “vëllain” e madh Kodiaq. Kruskoti ka stil të pastër, të pangarkuar por realizuar me shije dhe materiale cilësore.

Sistemi i infotainment (opsional) bazohet në ekranin 8” që përfshin funksionet Car Play dhe MirrorLink, duke mundësuar një ndërlidhje të mire me celularin tuaj. Për të gjithë tekanjozët, ekrani 9.2 inch është akoma më i avancuar, duke ofruar edhe kontrollin me xheste, pa e prekur atë. Gjithashtu si pajisje opsionale ofrohet edhe sistemi audio nga kompania e mirënjohur gjermane Canton, me 10 bokse dhe 550W fuqi që e bën dëgjimin e muzikës në udhëtim një eksperiencë të veçantë.

Hapësira mbetet një element i rëndësishëm për të gjitha ŠKODA-t, dhe Karoq nuk bën përjashtim në këtë, duke premtuar udhëtime në komoditet të plotë.

Gama e motorëve është e gjerë me plot nëntë variante, duke filluar me më të voglin, 1.0 TSI me 116 kuaj fuqi, i pranishëm në një nga modelet gjatë eventit e deri në njësinë e mirënjohur të familjes Volkswagen, 2.0 TDI, me 190 kuaj fuqi. Gama ofron kambio mekanike dhe automatike si dhe tërheqje në rrotat e para apo integrale 4×4.

Për klientelën familjare, Karoq mburret me pesë yje në testin e sigurisë Euro NCAP. Sistemet e sigurisë aktive dhe pasive në fakt janë të shumta, si Paketa e Asistimit ku përfshihet piloti automatik me ruajten e distancës së sigurisë nga mjeti përpara, asistuesi i ndërrimit të korsisë, asistuesi në trafik dhe asistenca në rast emergjence, etj.

Skoda Karoq është e disponueshme në Shqipëri me një çmim agresiv që fillon nga 17.600euro.

Së shpejti do të bëjmë më shumë dritë mbi këtë model me një provë reale në terren.