na ndiq ne

Sa e dobishme është vërtet teknologjia në makinë?

02/11/2021

Studimi nga JD Power

Në rrugët tona ndodh shumë shpesh të shohim njerëz që flasin në telefon ndërkohë që janë në timon. Ky është një ves dhe një gabim që ne shqiptarët e kemi të theksuar.

Ajo që na bën përshtypje, përveç shkeljes së dënueshme, është që nganjëherë kjo ndodh edhe në bordin e makinave luksoze dhe moderne. Tek këto makina, ky veprim përveçse i gabuar, duket i pakuptimtë për një arsye shumë të thjeshtë:  jemi duke folur për makina të pajisura së paku me ndërlidhjen bluetooth, falë së cilës mund të përdorësh telefonin pa bllokuar duart dhe në një mënyrë shumë natyrale, si të jesh duke folur me një pasagjer në makinë.

Në të tilla raste, të vjen t’i trokasësh në xham e t’i pyesësh: a e din që makina jote ka bluetooth? A e din si përdoret?

Kjo sjellje ngre në fakt një tjetër dyshim në një rang më të gjerë: sa përdoret vërtet teknonogjia e sotme e makinave? Sa e dobishme është realisht ajo?  

Për këtë temë, kompania amerikane J.D. Power ka kryer një studim me rezultate vërtet interesante. Në këtë studim, analizohen sistemet e reja teknologjike të ofruara nga secila markë dhe cilësia e funksionimit të tyre. Nga ana tjetër analizohet sa janë të kënaqur përdoruesit me teknologjinë në bord dhe nëse kanë probleme gjatë përdorimit të saj. Problemet mund të jenë nga më të ndryshme: që nga pasaktësia e komandave zanore apo me gjestikulim, deri tek “hutimi” për të përdorur një sistem infotainment me prekje.

Studimi merr në analizë 36 sisteme të ndarë në katër kategori: infotainment dhe ndërlidhja, ekologjia e automjeteve, rehatia e ofruar dhe automatizimi.

I vlerësueshëm në këtë studim është edhe kampioni në shkallë të gjerë. Plot 110.827 pronarë makinash të reja, të prodhuara në 2021, janë intervistuar 90 ditë pas blerjes së makinës së re.

Keni dëgjuar për markën Genesis? Sedanët dhe SUV-ët luksozë të prodhuar nga kolosi korean Hyundai, të markës Genesis, zënë vendin e parë në studimin Innovation Index për segmentin premium.

Pronarët e modeleve Genesis janë shumë të kënaqur me teknologjinë e ofruar. Sipas tyre teknologjia është e plotë, e thjeshtë dhe shumë e përdorshme. Vendin e dytë në segmetin Premium gjejmë Cadillac e më tej Volvo, BMW dhe Mercedes-Benz.

Hyundai  është në vend të parë për markat masive, e ndjekur shumë ngushtë nga marka binjake Kia, të ndjekur nga Nissan, Subaru dhe GMC.

Më shumë se gjysma e “pronarëve” të rinj nuk kanë përdorur asnjëherë disa teknologji të avancuara me të cilat janë pajisur makinat e tyre. Shembull këtu mund të jetë dyqani dixhital, të cilin ende përdoruesit e sotëm e gjejnë pak të nevojshëm. Në të njëjtën kategori por me shenjë pozitive gjejmë teknologji si telekamerat e vendosura në pasqyrë apo ato për të parë rrugën nga poshtë (në rastin e një fuoristrade). Përdoruesit janë shumë të kënaqur me to dhe i përdorin rregullisht. Në fakt, logjikisht ky është një matës shumë i mirë i cilësisë dhe i dobisë së një sistemi të caktuar. Nqs përdoruesit e përdorin dhe i pëlqen atëherë quhet i mirërealizuar.

Komandat me gjestikulim (pa prekje) kanë rezultuar jo shumë të vlerësuara dhe në disa rasteme probleme funksionimi. Kjo teknologji nuk shihet si e dobishme dhe praktike. E kundërta ndodh me frenimin “automatik” pas lëshimit të pedalit të gazit tek makinat elektrike (ose guida me një pedal siç quhet ndryshe).

Një konkluzion interesant vjen edhe për konçesionarët. Shumë prej fuksioneve të reja, që prezantohen nga stafi i shitjeve, duket se prezantohet keq ose në mënyrë të gabuar. Kjo për automobilistin mesatar është e rëndësishme sepse udhëzimet i merr pikërisht në konçesionar. Në momentin e dorëzimit të makinës, personi që të dorëzon makinën duhet të shpjegojë në mënyrë të qartë dhe korrekte funksionimin e çdo sistemi me të cilin makina është pajisur. Nëse ky proçes çalon, shumë prej automobilistëve do të kenë mangësi të vazhdueshme në përdorimin e gjithë potencialit të makinës me arsenalin teknologjik që ajo mund të disponojë.