na ndiq ne

Provuam për ju Volvo XC60

05/06/2018

Volvo XC60, SUV-i mesatar i prodhuesit suedez, është prezantuar më parë për publikun shqiptar (lexo këtu artikullin prezantues të XC60) dhe ne kishim premtuar (edhe vetes) që do ta shtinim në dorë sa më parë këtë model që ka kuriozuar tregjet botërore me dy çmime të rëndësishme: World Car of the Year (lexo artikullin këtu) dhe Makina më e sigurt në botë (lexo artikullin këtu). 

Volvo ndërkohë e forcon dorën me deklarimet e fundit me një objektiv ambicioz dhe të përgëzueshëm: zero vdekshmëri apo dëmtime serioze në bordin e një Volvo-je deri në vitin 2020.
Modeli i provës nga afër konfirmon përshtypjet pozitive që modeli ngjall në foto. XC60 ngjan me modelet e tjera të familjes, Volvo S90 dhe SUV-in e madh XC90, me të cilin ka të përbashkët shasinë SPA, por në karahasim me ta ka një pamje më sportive dhe më “sexy”.
Hapësira në bord është e mjaftueshme për të gjithë pasagjerët dhe bagazhet e rastit. Ndihmesë e rëndësishme është këtu edhe mundësia e palosjes së sediljeve, nëse paraqitet e nevojshme ngarkesa e bagazheve voluminoze.


Kruskoti pasqyron qartë filozofinë suedeze që është esenciale dhe ergonomike. Ky është padyshim një ambjent Premium, realizuar me material të buta dhe cilësore të asembluara me kujdes. Teknologjia dhe funksionet janë të gjitha aty, por pa ngarkesa në forma dhe mori butonash. Timoni multifunksional ka një design harmonik dhe “R” e pjerrët metalike e instaluar në pjesën e poshtme na kujton se modeli i provës sonë është R-Design, versioni më i pasur dhe më i pajisur me opsione dhe detaje sportive si psh. disqet e mëdha 21”.
Me të shtypur butonin “Start” kruskoti dixhital merr jetë bashkë me aktivizimin e Sensus, sistemi infotainment i Volvo-s i cili komandohet nga një ekrar 9” vertikal. Në përgjithësi kjo zgjedhje nuk na ka entuziazmuar shumë nga ana estetike, por duhet thënë që në rastin e XC60 është vërtet praktik në përdorim, sepse gjatë guidës, lëvizjet vertikale të dorës janë më të kollajshme sesa ato horizontalet. Rezultati është që çdo komandë arrihet kollaj pa e lëvizur bërrylin nga mbështetësja, pozicioni i preferuar i shumicës së automobilistëve. Sistemi audio nga kompania angleze Bowers and Wilkins është një pajisje shtesë që ofron një cilësi të denjë të emrit që ka.


Pozicioni i guidës është i lartë si në çdo SUV dhe komoditeti i pamjes që ofrohet perceptohet që në metrat e parë. Motori D4, i heshtur dhe i gatshëm në komanda, arrin të shtyjë pa naze dhe me zhdërvjellësi trupin atletik të XC60. Koha e 0-100km/h është 8.2 sekonda dhe reagimet në çdo shkelje të gazit konfirmojnë cilësitë e mira të këtij motori tashmë të kolauduar në gjenerata. Guida është gjithmonë e lehtë dhe për këdo që ka dëshirë të shijojë guidën me “ritëm” 190 kuaj fuqi nuk zhgënjejnë në asnjë moment. Meritë në këtë pjesë ka padyshim edhe kambio automatike me tetë marsha, që ofron ndërrime të shpejta por dhe të pandjeshme. Timoni është i lehtë dhe preçiz në çdo situatë por ndjesia e vërtetë që të jep XC60 është ajo e një guide të robotizuar ose më saktë të asistuar. Me fjalë të tjera, ky është një timon që komandohet jo vetëm nga shoferi: që në shumë raste vetëkomandohet sipas nevojës.

Pas njëfarë kohe dhe një sasie kilometrash të përshkuar vërejmë se ndihemi të freskët si në metrat e parë. Një meritë të veçantë këtu kanë edhe amortizatorët me ajër, të cilët janë opsion shtesë, por që ne i këshillojmë fort. Puna e tyre mbi komoditetin dhe qëndrueshmërinë e makinës është vërtet e shkëlqyer.
Merita këtu është e punës së mirë që kanë bërë teknikët suedezë në drejtim të izolimit akustik në bord i cili është i një cilësie premium. Duke shtuar edhe amortizimin me ajër që përmendëm më parë dhe sediljet cilësore, XC60 konfirmohet si një mjet ideal për të gëlltitur kilometra pa fund. Një këshillë të vogël për të gjithë ata që ushtrojnë edhe guidën jashtë asfaltit: më mirë zgjidhni disqe 19”, sepse një profil gome më i lartë është i nevojshëm.

Një vend të veçantë për XC60, më shumë se në çdo makinë tjetër meriton edhe siguria. Përveç sistemeve tashmë thuajse të zakonshme të sinjalizimit të këndit të verbër, frenimit të emergjencës, ruajtjes së korsisë, Cruise Control aktiv, leximit të tabelave rrugore, etj. XC60 ofron edhe tre sisteme të reja që ndihmojnë ndjeshëm në sigurinë aktive:
Ndryshim trajektoreje në rast frenimi emergjence, nëse frenimi nuk garanton evitimin e përplasjes,
korrigjim korsie në rastin që XC60 detekton një mjet që vjen përballë (mund të jetë ky rasti i një parakalimi që po bëjmë ose ose makina përballë nesh),
Intellisafe surround – XC60 identifikon makina që vijnë me shpejtësi nga e majta jonë dhe nëse ne kemi nisur një manovër ndryshimi korsie apo parakalimi, atëherë makina korrigjon drejtimin duke na rikthyer në korsi për të evituar përplasjen.

Në dilemën e vazhdueshme nëse është më mirë një SUV, siç dikton moda e viteve të fundit apo një sedan, që për ne nostalgjikët mbetet makina e vërtetë, dikush mund të thotë edhe “Adio Sedan!” dhe si në pak raste, jemi pa argumenta për ta kundërshtuar.
Volvo XC60 fillon nga 39.900euro dhe gjendet pranë konçesionarit zyrtar VolvoCar Albania nga Mektrin Motors dhe duke parë mundësitë, një test drive (falas) e ndjejmë t’jua këshillojmë.