na ndiq ne

Peugeot 308 e re

06/04/2021

Luani “pushton” segmentin C

Peugeot 308 ka dalë për herë të parë në vitin 1965. Në fakt modeli i parë Peugeot me siglën 3 është prodhuar diku në vitin 1892 (Type 3) por për të folur për një segmentim të mirëfilltë dhe për makina me shasi dhe përmasa të denja për segmentin C, ndoshta duhet të shkojmë në vitin 1985 ku gjejmë Peugeot 309, një përzierje midis një sedani dhe një hatchback-u që më tej i la vendin Peugeot 306, hatchback i plotë, siç ne e njohim sot.

Që nga zanafilla, Peugeot ka mbështetur shifrat e shitjeve të saj në këtë segment, përfaqësues i një shumice që ka dashur gjithmonë një makinë familjare kompakte, por pa hequr dorë nga komoditeti dhe estetika, siç francezët e quajnë “chic”.

Peugeot 308 vjen tashmë në një gjeneratë të re ku ndryshimet që sfidojnë sektorin automotive duhet të jenë epokale. Benzina dhe nafta duhen braktisur në favor të një mjedisi më “jeshil” dhe të pranueshëm për gjeneratat që do të vijnë.

Kjo gjeneratë është e veçantë edhe për një arsye tjetër për markën: ka misionin të sjellë me sukses logon e re të markës franceze. Luani i skulpturës i lë vendin një luani më modern, por edhe më faraonik në të njëjtën kohë.

Nga jashtë 308 e re vjen e rinovuar plotësisht por duke ruajtur vazhdimësinë me gjeneratën e mëparshme. Maskerino ruan design-in “yjor” me elementë të kromuar që krijojnë një iluzion optik prej Star Trek. Fenerët ruajnë orientimin vertikal si dhëmbë fildishi të gjatë ndërsa pjesa tjetër e design-it shpalos linja të përpunuara të cilat i japin karakter (dhe muskuj) 308 së re.

Peugeot 308 e re është e gjatë 4.36 metra (11 cm më e gjatë se modeli i mëparshëm), e gjerë 1.85 metra dhe e lartë 1.44 metra, (2cm më pak se modeli i mëparshëm). Bagazhi ofron 412 litra në gjendje normale dhe 1.323 litra me sediljen e pasme të palosur.

Përmasat e reja dhe design-i i ri garantojnë një koefiçent aerodinamik Cx = 0,28, gjë që shkon në avantazh të konsumit. Teknologjia është e pranishme që nga jashtë me sensorët që duken në maskerino dhe fenerët Led ose Matrix (opsionalë).
Brenda Peugeot forcon dorën me një ambjentim aeronautik, ku kuadri, pardon “Cockpit” i ri është 100% dixhital dhe ka një pozicionim edhe më origjinal se në gjeneratën e mëparshme.

Sistemi i ri infotainment i-Connect është 100% i ri. Ekrani i kuadrit shkon deri në 10” dhe ofron edhe grafika 3D ndërsa sistemi infotainment ofron një konfigurim të ri me butonat fizikë që i lenë vendin butonave me prekje. Edhe timoni është i ri dhe në formë hekzagonale, për të treguar shpirtin modern, por edhe sportiv të modelit të ri.

Brenda zhduket edhe leva e marshave. Elementë të tjerë pasurojnë kabinën në stil Premium si ndriçimi Led, elementë metali apo lëkura e përdorur për konfigurimet më të pasura. Sediljet mund të zgjidhen edhe me çertifikimin AGR dhe me funksion masazhi.

Sistemi infotainment i-Connect lejon ndërlidhjen me dy telefonë njëkohësisht ndërsa funksioni “mirroring” është i mundur edhe wireless. Nëse thua “Ok Peugeot” je duke thirrur asistentin në linjë ndërsa sistemi audio ofrohet nga marka franceze premium Focal. Fuqia shkon deri në 690 Watt me 12 altoparlantë dhe një sistem të studiuar posaçërisht për këtë model.
Adaptive Cruise Control, Lane Change aktiv, Curve Speed Adaptation, Blind Spot Monitoring dhe Rear Traffic Alert janë disa nga sistemet e paketës Drive Assist 2.0, që e bëjnë 308 e re një miks teknologjik vërtet të pasur.

Motorizimet ofrojnë zgjedhje me benzinë, naftë dhe siç moda komandon, edhe hibride. 308 debuton me versionet 1.2 Puretech 110 dhe 130 kuaj fuqi me benzinë dhe 1.5 BlueHdi me 130 kuaj fuqi për naftën. Versioni hibrid Plug-in 180e-EAT8 dhe 225 e-EAT8 janë atoqë i shkelin syrin klientelës dinamike me 180 dhe 225 kuaj fuqi.
Për këto versione Peugeot premton deri në 60 km me konsum zero litra ndërsa bateria karikohet për dy deri në shtatë orë, në varësi të sistemit të karikimit.

Pavarësisht se në Shqipëri ne mendojmë që nafta do të jetë versioni kryesor, benzina dhe sidomos versionet hibride janë duke u shtuar. Në këtë drejtim, klientët e këtij motorizimi është mirë të dinë se Peugeot ofron disa shërbime. Easy-Charge është sistemi që verifikon mundësinë e instalimit të një Wallbox si dhe aksesin në sistemin europian Free2Move; Easy-Care është garancia për bateritë ndërsa aplikacioni MyPeugeot kontrollon autonominë, gjendjen e karikimit dhe aktivizimin e kondicionerit përpara se të hipësh në makinë. Kjo e fundit shumë e dobishme nëse mendojmë që kur jemi nën 40°C mund ta freskojmë makinën që kur të hipim të mos na bien të fikët 🙂