na ndiq ne

Opel Crossland rinovohet

08/10/2020

Restyling dhe përmirësime të rëndësishme

Opel rinovon Crossland, një nga modelet më të shitura të segmentit Suv. Risia e parë qëndron pikërisht tek emri ku bie gërma X që më parë shoqëronte çdo model Suv-Crossover të markës gjermane.

Përtej kësaj, modeli i ri sjell dy risi të rëndësishme me këtë rinovim në gjysëm të ciklit të jetës. Së pari gjejmë maskerinon e re të markës Opel të prezantuar për herë të parë me modelin Mokka (kliko këtu për Mokka-n e re). Së dyti, rinovohen njësitë motorike të cilat bëhen tani më efiçente dhe ekologjike.

Design-i i jashtëm krijon një impakt të rëndësishëm, sikur të ishte një model i ri sepse rinovimi estetik është rrënjësor në pjesën ballore. Kjo sidomos në ngjyrimin kuq e zi, që ne na kujton në mënyrë të paevitueshme ngjyrat tona kombëtare. Maskerino e re e pagëzuar “Opel Vizor” e realizuar në ngjyrë të zezë me shkëlqim kufizohet në skaje nga fenerët me ndriçim Led. Po kështu janë rifreskuar edhe parakolpet para ku gjejmë të integruara dritat e ditës, tashmë në Led edhe ato. Nga brenda ruhet forma dhe ergonomia e mëparshme me sistemin infotainment të integruar në kruskot i cili ofron shërbimet Opel Connect (sistemi i ndërlidhjes me internetin në gjendje të thërrasë ndihmë të shpejtë në mënyrë automatike në rast aksidenti), që në fakt janë opsionale por që ende në Shqipëri nuk kemi konfirmim mbi vlefshmërinë e tyre.

Nga ana teknike Opel deklaron se ka përmirësuar sistemin e drejtimit për një guidë më dinamike. Teknologjia Intelligrip ofron më shumë tërheqje në terrene të vështira edhe pa tërheqjen 4×4. Kjo falë ndihmesës elektronike që gradon në mënyrë optimale shkarkimin e fuqisë mbi rrota.

Programet e guidës që ofrohen janë Normal, Snow (borë), Mud (gjol), Sand (rërë) dhe “Esp Off” për përdorimin e makinës pa asnjë “pengesë” elektronike. Për arsye sigurie, dy të fundit mund të rrinë aktive deri në shpejtësinë 50 km/h. Duke tejkaluar këtë shpejtësi, për arsye sigurie makina shkon automatikisht në “normal”.

Sistemet Adas (të ndihmesës në guidë) parashikojnë Forward Collision Alert (sinjalizim për përplasje) me frenim automatik emergjence, Lane Departure Warning (ruajtjen e korsisë), Driver Drowsiness Alert (dedektim lodhjeje të shoferit), Side Blind Spot Alert (monitorim i këndeve të padukshme), kamerën e pasme me fushëpamje 180 gradë, Park Assist automatik dhe Speed Sign Recognition (leximi i tabelave rrugore) është i lidhur me sistemin Cruise Control i cili përshtat shpejtësinë sipas tabelave rrugore.

Lajme të mira vijnë edhe nga motorët. Së pari janë të gjithë Euro 6d. Motorët me benzinë dhe naftë janë të gjithë të pajisur me turbo. Me benzinë gjejmë njësinë 1.200 kubikë që ofron fuqi nga 83 deri në 130 kuaj ndërsa me naftë gjejmë njësinë 1.500 kubikë me turbo që ofron 110 ose 120 kuaj fuqi. Kambio automatike me gjashtë marsha premton ndërrime optimale dhe kursim karburanti. Konsumet e deklaruara janë 4.7 – 5 litra/100km për versionet me benzinë dhe 3.5 – 3.9 litra/100 km për versionet me naftë.