na ndiq ne

Nga 600 tek 600

26/09/2017

Fiat është një markë e mirënjohur jo vetëm në Itali, por në gjithë botën. Në vendin tonë, Fiat jo vetëm që është shumë e njohur por ka edhe një traditë të gjatë e cila fillon që me Fiat 128 (ose Fiat Polak) të Komitetit Ekzekutiv të “asaj kohe”. Më tej, në vitet 1991-1992 e në vijim, hynë me shumicë modelet 131 dhe 132, por një vend të veçantë në historinë e Fiat-it e zë padiskutim një ndër modelet më të famshme prodhuar nga shtëpia torineze: Fiat 600.
Varianti i parë i Fiat 600 lancohet në 1955 dhe ka për qëllim te zëvendësojë modelin Fiat 500, tashmë i “vjetëruar”. Ka një motor 600 kubikë të montuar në pjesën e pasme dhe 21 kuaj fuqi.
Më tej vjen një version “restyling”: fuqia rritet në 22 kuaj dhe xhamat e dritareve ulen vertikalisht (më përpara rrëshqisnin në drejtim horizontal). Fuqia vazhdon të rritet në 25kf në 1959 dhe 29kf në 1960.
Rishikimi i fundit i rëndësishëm vjen në 1964 me dyert që kapen me mentesha të pjesën e përparme duke lejuar hapjen e derës siç e njohim sot.
Fiat 600 së bashku me Topolinon (500) janë dy modelet që kanë motorrizuar në masë Italinë, por kanë patur sukses edhe në vende të tjera si ish-Jugosllavia apo Spanja ku falë prodhimit të licensuar në fabrikat e Zastavës dhe të Seat-it, ka mundësuar shitje të konsiderueshme.

Fiat 126
Lind në vitin 1972 si zëvendësuesja e drejtpërdrejtë e Fiat500 nga e cila trashëgon edhe inxhinierinë bazë. Ka forma më katrore se paraardhësja, motor me dy cilindra të vendosur mbrapa, 600 kubikë dhe 22 kuaj fuqi e cila rritet në 1977 në 24 kuaj fuqi.
Në 1979 prodhimi transferohet në Poloni.
Në vitin 1985 modeli revolucionohet tërësisht: motori tashmë rritet në700 kubikë, ka 25 kuaj fuqi, ftohje me ujë dhe ndezje me celës (më parë ndizej me një levë të vogël midis dy sediljeve të para!).
  Motori, i vendosur në pjesën e pasme në formë “peshku” mundëson edhe krijimin e një bagazhi të vogël përvec atij në pjesën e përparme të makinës.

Fiat 500
Ripropozohet në 1991 dhe rezulton një fiasko. Ka motorin në pjesën e përparme, forma që nuk kanë të bëjnë fare me rrumbullakësinë e modelit të mëparshëm dhe ngjan si një makinë çfarëdo, pa personalitet. Ofrohet me tre motorë:
700kubikë me 2 cilindra dhe 30 kuaj fuqi, 900 kubikë, 4 cilindra dhe 41 kuaj fuqi dhe një motor elektrik me 13 kuaj fuqi. Jemi këtu në gjenezën e motorëve “alternativë”.

Fiat Seicento
Në 1998, në linjën e Fiat 500 ripropozohet Fiat 600 që në fakt është një 500 e përmirësuar në design dhe nga ana inxhinierike. Ka linja më të rrumbullakosura dhe është  përmirësuar edhe nga brenda. Motorët e ofruar janë tre: 900 kubikë dhe 39kf, 1.100 kubikë dhe 54 kuaj fuqi dhe një motor elektrik me fuqi të rritur tashmë në 20 kuaj.
Në 2005 vjen një version restyling në perputhje edhe me ndryshimin e logos Fiat. Motorët bëhen Euro4 dhe emri transformohet në “600” me numra (jo më Seicento).