na ndiq ne

Mercedes Vision V

28/04/2025

Koncepti elektrik për furgonët dhe MPV-të luksoze

Para disa ditësh prodhuesi nga Shtytgarti prezantoi Vision V, konceptin e ri elektrik që do të sjellë një qasje të re në segmentin e furgonëve dhe automjeteve shumëfunksionale për pasagjerë.

I bazuar mbi një platformë të re modulare dhe të ndryshueshme, të quajtur Van Electric Architecture (VAN.EA), ky koncept synon të kombinojë hapësirën tradicionale të furgonëve me një nivel të ri ekskluziviteti dhe luksi. Dhe me sa kuptojmë nga deklarata zyrtare, duket se ky prototip do të prezantojë atë që do të jetë gjenerata e ardhshme e V-Class.

Vision V për momentin është vetëm një koncept, por pyetja që lind natyrshëm është nëse ka kuptim një mjet i tillë ekstra luksoz, duke marrë parasysh që furgonët në përgjithësi janë mjete pune.

Nga jashtë Vision V huazon elementë nga modelet elektrike EQS dhe konceptet e tjera të fundit të Mercedes-Benz, por dizajni i jashtëm është i Vision V është së paku i “guximshëm”, ndoshta edhe i tepruar.

Dritat led në disqe janë më shumë element prej “Fast and Furious” sesa i një furgoni luksoz me përdorim korporativ apo të një “courtesy car” delegacioni.

VegaCharging, karikues makina elektrike

Pjesa e përparme karakterizohet nga maskerino e madhe Mercedes Benz, paksa atipike nga forma, përmasat dhe fakti që është vetëm e ndriçuar dhe jo me strukturë metalike, siç e kanë makinat normale, por ky besojmë është element prej modeli “concept”. Në pjesën e pasme, dominon një dritë e madhe në formë O perimetrale, e cila funksionon edhe si dritë frenimi, element ky i parë edhe në konceptet e mëparshme të markës.

Përveç teknologjisë së re që synon të sjellë, Vision V do ta pozicionojë V-Class drejt një koncepti të ri të quajtur “private lounge”, një qasje që është testuar më parë nga konkurrentët përtej oqeanit si Lexus dhe Xpeng.

Duke ndjekur këtë filozofi, dizajnerët e Mercedes kanë krijuar një ambient të brendshëm futuristik, që të kujton një lounge luksoz dhe me elementë sci-fi. Mes aluminit, lëkurës Nappa, plastikës të tejdukshme dhe pasqyrave, kabina e Vision V është e mbushur me teknologji të avancuar me elementë si një ekran 4K prej 65 inç, dritaret anësore që mund të shndërrohen në ekrane shtesë, ndriçim ambienti me Led dhe një sistem audio Dolby Atmos me 42 altoparlantë.

Mercedes parashikon disa mënyra përdorimi: argëtim, relaksim, lojëra, punë, karaoke, etj dhe me teknologji të integruar për të krijuar një mjedis të plotë argëtimi ose qetësie, sipas nevojave të pasagjerëve. Xhamat e kabinës kanë një funksion privacy glass me errësim të rregullueshëm sipas modalitetit të përzgjedhur.

As shoferi dhe pasagjeri përpara nuk mbeten pas: ata gëzojnë një SuperScreen të trefishtë që shtrihet nga njëra anë e makinës në tjetrën, duke ofruar funksione navigimi dhe elementë të tjerë argëtimi përmes një ndërfaqeje të personalizuar.

Mercedes-Benz Vans me Vision V do të “inovojë” idenë e transportit luksoz dhe të vendosë një standard të ri në botën e furgonëve premium. Shpresojmë ta shohim së shpejti të konkretizuar dhe të lehtësuar nga elementët hiperbolikë. Edhe pse shpesh pjesë e modeleve “concept”, mendojmë se janë të panevojshëm dhe deri tani, element karakteristik i prodhuesve kinezë, të cilët në fakt nuk janë më ata të dikurshmit, por po hedhin hapa gjigandë në progresin e tyre dhe në tregjet botërore, perfshirë edhe vendin tonë.