na ndiq ne

Mercedes G Class Brabus

01/10/2019

Fuqi me “F” të madhe

Mercedes G Class, ende i freskët në treg, merr një trajtim të veçantë kompania gjermane e specializuar në “përpunimin” sportiv të modeleve të markave të korporatës Daimler (përfshihen këtu Mercedes, Smart dhe Maybach).

Fuoristrada nga Shtytgarti, pas debutit vitin e kaluar, duket se ka tërhequr vëmendjen e Brabus për një “trajtim” special. Nuk bëhet fjalë këtu për disa kapakë në fibër karboni, parafango të zgjeruarara apo goma sportive … jo, këtu ka shumë më shumë substancë.


Vështirë të mendohet diçka e tillë pas versionit AMG me 585 kuaj fuqi, por me sa duket për Brabus dhe klientët e saj, kjo nuk ishte e mjaftueshme.
Për këtë projekt, teknikët e “tuner”-it gjerman huazuan motorin V12 të Mercedesit S600, meqënëse motori V8 4.000 kubikë ishte i pamjaftueshëm. Kështu, vëllimi kalon nga 6.000 në 6.300 kubikë, turbinat zmadhohen, fuqia kalon nga 530 në 900 kuaj dhe momenti rrotullues është një rekord me 1.500 Nm! Një motor me një performancë të tillë rrezikon seriozisht të dëmtojë kambion automatike 9G (me nëntë marsha) kështu që momenti rrotullues kufizohet elektronikisht në kuotën 1.200Nm.

Edhe pse pesha e kësaj makine është mbi 2.6 tonë, falë këtyre optimizimeve, Brabus G900 shkon nga 0-100km/h për vetëm 3.8 sekonda dhe arrin një shpejtësi maksimale prej 280 km/h e kufizuar edhe kjo elektronikisht. Sa konsumon një makinë e tillë? Për ata që duan ta dijnë, mesatarisht diku rreth 20litra/100km, por nëse keni këmbën pak të rëndë … nuk mbajmë përgjegjësi 😊

Tjetër? Një paketë e quajtur Widestar parashikon parafango të zgjeruara (5cm), disqe të rritura në 23” dhe 24” me gjerësi 295 përpara dhe 335 në aksin e pasëm. Fibra e karbonit nuk është kursyer në dekorimin e maskerinos, gojëzave të ajrit dhe kapakut të motorit.
Nga brenda? Edhe këtu përpunimet janë të dukshme dhe cilësore. Lëkura e përdorur në veshjen e sediljeve dhe paneleve të dyerve duket e përzgjedhur nga cilësia më e mirë. Qepja është realizuar me kujdes dhe tegela të dukshëm. Për pasagjerët e pasëm ofrohen pajisje që tregojnë temperaturën e jashtme, orën dhe shpejtësinë e makinës.


Nëse vërtet po ju pëlqen kjo që po shihni, mos u mprihni kot. Vetëm 10 njësi do të prodhohen nga ky model, secili prej të cilëve ka numrin rendor përkatës nga 1 deri në 10, të vendosur në kruskot si një dekoratë për t’u shpalosur me krenari.