Mercedes CLE Cabrio
Projektuar për qejf
Në kohët tona, duket se preokupimet kryesore të të gjithë prodhuesve janë orientuar drejt elektrifikimit dhe ekologjisë. Duke i lënë çdo argumenti rëndësinë që meriton, si të apasionuar të sektorit “Auto” duhet të vendosim theksin në një drejtim që duket se zhvillohet çdo ditë e më pak: makinat janë edhe ose mbi të gjitha edhe një mjet qejfi (për dikë).
Sa themi këtu ama, duket se kohët e fundit gjen gjithnjë e më pak vend në propozimet e prodhuesve të ndryshëm. Duke përjashtuar prodhuesit premium, shumica e prodhuesve të tjerë duken disi të harruar midis prodhimit të modeleve Suv (për të mbuluar shitjet) dhe elektrike, për t’iu përgjigjur normativave aktuale dhe të ardhshme antindotje.
Një prej prodhuesve premium që nuk ka harruar kurrë të prodhojë makina dëshirash dhe ëndërrash është edhe Mercedes Benz. Duke parë stinën, na ra në sy një model “me qiell të hapur” siç nuk shihnim prej kohësh.
Modeli i ri, i përfolur jozyrtarisht se do të quhet CLE, është një makinë mesatare në përmasa, por që nuk do të jetë as C Class dhe as E Class.
Duket se makinat Cabrio për prodhuesin nga Shtutgarti janë një segment më vete dhe CLE do të mbulojë çdo kërkesë të segmenteve të mëposhtme, duke lënë vend për vetëm një cabrio tjetër në gamën Mercedes, atë të segmentit superluks, që mbulohet nga Mercedes S63 AMG (SLC së shpejti nuk do të jetë më në prodhim).
Siç shihet edhe në imazhet e para jozyrtare të ofruara nga portali anglez i makinave Autoexpress, modeli i ri do të jetë i bollshëm në përmasa, pa ekzagjerime, por vërtet premtues. Nuk mund ta fshehim simpatinë për një model të tillë sidomos në një stinë kur do të jetonim me tavanin e hapur në kthesat e Llogarasë apo të Borshit.
Sipas Marcus Schafer, kreu i sektorit Kërkim dhe Zhvillim, modelet Coupé dhe Cabriolet, edhe pse nuk janë makina që prodhojnë shumë të ardhura, janë të rëndësishme për Mercedesin si modele që kanë një treg të kufizuar, por me vlerë të madhe për përfaqësinë e markës.
Mbi këtë model, që pritet të debutojë në treg diku nga 2023 nuk dimë ende asgjë, përveç faktit që do të ketë një prirje sportive, siç një model “qejfi” mund të jetë. Duke parë disa nga motorizimet e mundshme, syri na bie mbi njësinë 2.000 kubikë, të pranishme në versionin A45 AMG, ndoshta i shoqëruar nga një ndihmesë elektrike, qoftë për të shtuar fuqinë, qoftë për të ulur emetimet.
Ky model duket se do të duhet të punojë shpejt për t’i bërë ballë konkurrencës nga Bavaria, ku BMW Seria4 ofron njëkohësisht versionin Coupè dhe Cabrio. Ah, po, CLE e re do të duhet të planifikojë edhe një version me kabinë të mbyllur, apo kështu rrezikon të quhet “kopjace”? 🙂