na ndiq ne

Mercedes Benz së shpejti në Formula E

06/09/2017

Kompania me qendrën në Stokardë do të marrë pjesë në kategorinë full electric në 2019.

Mercedes-Benz do të performojë në cilësinë e konstruktorit në Formula E. Kjo kompani ka vendosur të marrë edhe pak kohë përpara se të hyjë në kategorinë full electric duke shprehur interes të lartë dhe besim të plotë në këtë kategori. Nga ana tjetër kategoria full electric është në të njejtën linjë me strategjitë komerciale të kompanisë e cila beson gjithnjë e më shumë tek lëvizja elektrike.

Mercedes-Benz do të sfidojë në pistë konstruktorët e mëdhenj si Audi dhe BMW të cilët kanë vendosur të përshpejtojnë kohët e hyrjes zyrtare në këtë kategori.

Nga ana tjetër Kategoria E e ka pritur me shumë  entuziazëm lajmin e pjesëmarrjes së  Mercedes-Benz. Gjithnjë e më tepër kontruktorë besojnë tek revolucioni elektrik. Ky fakt tregon se bota e makinave po ndryshon jo vetëm në drejtimin e makinave të garave por ndryshimet ndihen në të gjithë industrinë e mjeteve levizëse.

Lajmi i pjesëmarrjes në Formula E vjen pas një ripozicionimi strategjik të aktiviteteve të konstruktorit. Një përqasje kjo që do të detyrojë Mercedez-Benz të heqë dorë nga kampionati DTM dhe të fokusohet tek kategoritë kryesore të motorsport: Formula 1 dhe Formula E.  Përgjegjësi  i Mercedes-Benz Motorsport, Toto Wolff ka folur edhe mbi motivet që çuan në këtë zgjedhje: “Mercedes-Benz do të jetë pikë referimi në segmentin premium dhe do të jetë në krye të eksplorimit të projekteve inovative. Me pjesëmarrjen në Formula 1 dhe Formula E arrihet një ekuilibër shumë i mirë. Elektrifikimi i makinave është tashmë një realitet dhe ky sport i ofron mundësinë konstruktorëve të synojnë një publik të ri.”

Wolff thotë se është i kënaqur që kanë mundur të konsiderojnë opsionin e hyrjes në sezonin 2019/2020. Ky fakt do t’i japë Mercedesit mundësinë të kuptojë drejt shpirtin e kategorisë dhe të përgatitet në mënyrën e duhur për debutimin. Kjo gjë do të shërbejë edhe si kohë për të kuptuar mbylljen e programit  DTM. Wolff ka thënë se Mercedes-Benz është  konstruktori më i madh i DTM i të gjitha kohërave. Edhe pse tashmë do të jetë e vështirë, Mercedes-Benz do të bëjë ç’është e mundur për të fituar sa më shumë trofe përpara se të tërhiqet nga ky kampionat.