na ndiq ne

Mercedes Benz prezanton EQS

27/04/2021

770 km në luksin maksimal

Siç mund të kuptohet lehtë nga gërma “S” që në markën me “yll” përfaqëson nivelin maksimal të luksit, modeli i ri i Mercedes-Benz EQS shtohet në kategorinë S Class duke sjellë kështu modelin elektrik më luksoz me zero ndotje mjedisore.

Përveç risive teknologjike, EQS sjell edhe një platformë të re të dedikuar automjeteve 100% elektrike që do të pasojë edhe me modele të tjera të tilla pas EQS.

S Class-i elektrik, ose EQS, ky është emri zyrtar, është e gjatë 5,21 metra (3cm më shumë se S Class) dhe premton hapësirë në bord të shoqëruar me shumë komoditet dhe teknologji. Deri këtu asgjë e re për një sedan luksoz të segmentit F, por le ta shohim pak më nga afër krijesën e fundit nga Shtytgarti.

Design i jashtëm është i kuruar dhe me identitet të fortë, tipikisht Mercedes, meritë kjo e maskerinos që këtu vjen më moderne, me pamje teknologjike, pavarësisht se 100% e mbyllur na lë pak një shije të re që duhet të mësohemi ta përtypim disi. Siç e dimë ama, makinat elektrike nuk kanë nevojë për hyrje ajri nga maskerino, kështu që ky detaj do të jetë tashmë trendi normal në design-in e çdo makine.

Në profil EQS e re humbet pak ndarjen e qartë tipike të sedanit me tre volume (motor – kabinë – bagazh) dhe sjell një profil më të butë, disi më klasik, me linja më të harkuara, në dobi kjo sërish të kabinës së pasagjerëve dhe koefiçentit aerodinamik, që këtu arrin vlerën rekord CX 0.2. Kjo ndikon pozitivisht në nivel akustik dhe në autonomi, ose konsum, thënë në mënyrë më tradicionale. Zona e pasme është e dominuar nga një brez dritash Led ku janë të integruar edhe fenerët e pasëm.

Brenda hapësira është organizuar në mënyrë ergonomike dhe materialet janë të kuruara, si gjithmonë në një Mercedes, por ajo që bie në sy këtu është tepria e teknologjisë që kjo makinë ofron. E pagëzuar Mbux Hyperscreen ekrani i ri Led që përfshin gjithë kruskotin, arrin në 141 cm. Kuadri dixhital, sistemi infotainment së bashku me një ekran të vendosur përpara pasagjerit janë pjesë e të njëjtit panel xhami të harkuar. Sipërfaqja e xhamit është e pajisur me 12 sensorë që aktivizojnë reagimin e ekranit për çdo komandë me prekje ndërsa filozofia Zero Layer është përdorur për organizimin e menuve me qëllim që të jenë më të thjeshta dhe të tërheqin sa më pak vëmendjen nga rruga. Teknologjia e vizualizimit të informacioneve përfshin edhe Head up Display që arrin në projeksion përmasat e një ekrani 77”.

Vijmë tek motorizimet ku gjejmë 333 kuaj fuqi minimale në versionin EQS 450+. Këtu parashikohet një motor i vetëm me tërheqje në aksin e pasëm dhe me një bateri 90kWh. Fuqia rritet në 524 kuaj, me 855 Nm moment rrotullues dhe dy motorë, që garantojnë katër rrota aktive për versionin EQS 580 4Matic. Shpejtësia maksimale është e kufizuar në 210km/h ndërsa 0-100km/h arrihen për 6.2 sekonda për EQS 450+ dhe vetëm 4.3 sekonda për versionin 580 4Matic, kohë kjo prej makine sportive, pavaarësisht se pesha e këtij versioni arrin gati 2.5 tonë.

Numrat bëhen edhe më seriozë në versionin sportiv AMG:  fuqia është 761 kuaj, shpejtësia arrin 250km/h ndërsa nga 0-100 nuk jepet e saktë, por konfirmohet se do të jetë më pak se 4 sekonda. Përveç performancës, ky version do të ketë edhe aspekte të tjera të përmirësuara si shasia (për një guidë më sportive) design, më agresiv, tipik AMG, impianti i frenimit dhe “zhurma” artificiale.

Përmirësimet në drejtim të autonomisë janë të shumta dhe mbulojnë menaxhimin e baterisë, rritjen e kapacitetit të tyre, sidomos atë të arkivimit të energjisë. Autonomia e premtuar është 770 km, mjaftueshëm për të shkuar në Sarandë dhe për t’u kthyer në Tiranë, pa nevojën e një ndalese për karikim. Mqs përmendëm karikimin, me një të tillë Fast Charger me kapacitet 200kW (shumë të paktë në qarkullim ende) Mercedes EQS karikohet për 300km në vetëm 15 minuta. Normalisht më i këshillueshëm është karikimi EcoCharge, më i gjatë por që streson më pak bateritë, cikli normal i të cilave është 10 vjet ose 250.000 km.

Për një përdorim pa stres Mercedes ofron programin Electric Intelligence, që tregon në mënyrë të optimizuar rrugën e mundshme që mund të bëhet me autonominë e mbetur si dhe pikën më të largët që mund të shkohet për t’u rikthyer në pikën e nisjes pa karikim. Mercedes ofron për klientët e saj programin Me Charge, të ndërlidhur me 500.000 pika karikimi në të gjithë botën dhe 200.000 pika karikimi në Europë.

Teknologjia arrin nivelet maksimale me paketat e opsioneve që mund të shkarkohen nga interneti. Njësoj si Google Play apo Apple Store, këtu gjejmë Mercedes Me Store ku mund të merren programe edhe për një kohë të caktuar. Psh rrotat e pasme aktive normalisht kthehen deri në 4.5 gradë. Ok, me blerjen e paketës respektive në Mercedes Me Store, këndi i ri që ato mund të kthehen është 10 gradë, duke përmirësuar ndjeshëm hapësirën e manovrave. Po kështu mund të aktivizohet paketa beginner, kur makinën e merr një adoleshent që sapo ka marrë patentën. Në këtë rast makina nuk do të ecë më shumë se 120 km/h dhe çdo kontroll elektronik do të jetë aktiv dhe nuk mund të ç’aktivizohet.

Potencialisht ky Mercedes elektrik, i pajisur me sistemin Intelligent Park Pilot dhe Automated Valet Parking arrin për manovra të caktuara Nivelin 4 të guidës autonome, por për këtë do të shprehemi në një moment të dytë, sepse duhet thelluar dhe krahasuar me legjislacionet e çdo vendi ku makina shitet dhe në zbatim të tij, mund dhe të mos jetë aktiv dhe funksional.