na ndiq ne

Mercedes AMG GT 43 Coupé

26/03/2024

Binjake e “vogël”, por performante

Mercedes-Benz paraqet versionin “bazë” të modelit sportiv GT. Vetëm katër cilindra nuk duken shumë për një sportive me siglën GT, por le ta shohim nga afër çfarë propozon prodhuesi nga Shtutgarti.

E pagëzuar AMG GT43, kjo coupé moderne i shkel syrin klientelës sportive që pavarësisht dëshirës për performancë, është e gatshme të braktisë versionin me 8 cilindra, duke u bërë edhe pak më të përgjegjshëm ndaj mjedisit. Kompromis ky jo pa “sakrifica”, ku e para që na vjen ndërmend është zhurma e motorit.

Versioni GT43, edhe pse binjake në tërësi me versionin GT63, është pak më e ngushtë dhe ka disa ndryshime estetike si në pjesën ballore, ashtu edhe në profil. E gjithë aerodinamika është më pak agresive, por sërish e këndshme. Bien në sy forma e parakolpit të parë në pjesën e poshtme dhe gojëzat e ajrit në profil, vetëm një e vogël në pjesën e parë, kundrejt dy hapjeve të mëdha në versionin GT63. Gjithashtu, GT43 është pak më e ngushtë dhe me parafango më pak muskuloze se versioni V8.

Versioni GT43 vjen me tërheqje në aksin e pasëm, zgjidhje teknikisht e pranueshme në çdo nivel përdorimi, por versioni më ekstrem ofrohet me tërheqje integrale. Motori është një njësi 2.000 kubikë mild hybrid, i përdorur më parë edhe në versionin ekstrem të modelit A Class A 45 dhe SL43.

Fuqia në këtë rast është 421 kuaj me një moment rrotullues 500 Nm, ndërkohë që në modelin SL43 fuqia ndalet në kuotën 381 kuaj. Në rastin e GT43, kjo njësi motorike pasurohet edhe nga një sistem elektrik që vepron tek turbokompresori, me origjinë F1.

Kambio është automatike me dopio freksion dhe nëntë marsha, e quajtur AMG Speedshift 9G, e cila ofron tre programe gradimi dhe funksionin Race Start, i cili maksimizon përshpejtimin.

Performanca e GT43 mbetet e mjaft e mirë dhe me numra interesantë. Shpejtësia nga 0 – 100 km/h arrihet për 4,6 sekonda ndërsa shpejtësia arrin në 280 km/h. Interesant duhet të jetë edhe konsumi, vetëm 10.3 litra/100km, por me siguri shigjeta treguese e karburantit është më e ndjeshme nëse shkelim gëzueshëm pedalin e gazit 🙂

Sistemi i programeve të guides AMG Dynamic Select ofron gjashtë programe: Smooth, Comfort, Sport, Sport+, Individual dhe RACE.

Rrotat janë 19”në versionin bazë, por disqet mund të zgjidhen edhe përmasat 20” dhe 21” ndërsa për të frenuar vrullin e GT43 impianti i frenimit mbështetet në disqe 390 mm në aksin e parë dhe pinca me gjashtë pistonë, ndërsa në aksin e pasëm disqet janë 360mm.