na ndiq ne

Mektrin Motors inauguron autosallonin e ri Jaguar dhe Land Rover

04/05/2018

Jaguar dhe Land Rover, dy markat e luksoze angleze janë të mirënjohura per publikun tonë. Jaguar ka qenë një ikonë luksi dhe sportiviteti e orientuar drejt një klientele “high class” që mund të identifikohet edhe përfaqësues të rrallë si familja mbretërore angleze, ndërsa Land Rover, ka qenë një pionier në sektorin e makinave 4×4, të forta dhe rezistente, por njëkohësisht edhe me një nivel luksi deri vonë të pakrahasueshëm me asnjë konkurrent tjetër.

Të dyja këto marka, megjithëse prej kohësh të pranishme në tregun tonë kryesisht nëpërmjet importit privat, tashmë kanë një përfaqësi zyrtare.

Grupi i mirënjohur shqiptar Mektrin Motors, me një investim të rëndësishëm dhe me objektiva afatgjatë, duket se ka plotësuar kushtet që këto marka prestigjioze, të zgjedhin një partner ekskluziv zyrtar.

Pas një periudhe të gjatë punimesh, ditën e djeshme është inauguruar autosalloni i këtij konçesionari, i cili mund të thuhet me plotë gojën, nuk ka zili asnjë konçesionar europian. Në sallë gjendeshin personalitete të fushave të ndryshme, kryesisht njerëz nga fusha e biznesit, nga sektori bankar, njerëz të mediave, klientë të shumtë të Mektrin Motors (ndoshta konçesionari më i vjetër shqiptar) të gjithë pjesëmarrësit që mbi të gjitha janë të apasionuar të Jaguar dhe Land Rover.

Çdo element i sallonit është i kuruar në detaje, siç i ka hije markave, çdo aspekt i eventit është i kuruar gjithashtu.

Ky ka qenë një rrugëtim i gjatë, i cili ka nisur në vitin 2005 dhe i ka bërë ballë vështirësive të ndryshme, mbi të gjitha, një tregu informal dhe amator. Falë një vizioni afatgjatë dhe një serioziteti të patundur, Mektrin Motors ka arritur të sigurojë sot pozita lideri të padiskutueshme në sektorin premium shqiptar.

Kjo lidhet edhe me një detaj tjetër, sa të thjeshtë në teori, aq të vështirë në praktikë: servisi i ofruar mbi makinat e shitura. Të ofrosh një servis cilësor sot nuk do të thotë të krijosh një tjetër xhep për të ardhura shtesë, por të ofrosh një paketë të plotë shërbimesh rreth një bote premium, siç janë edhe dy markat në fjalë.

Të blesh një Jaguar ose një Land Rover tek Mektrin Motors nuk do të thotë të marrësh në dorë një palë çelësa, por do të thotë të hysh në një botë shërbimesh, një botë që jo çdokush din ta menaxhojë dhe një botë që nëse ia del të fitosh klientelën, arrin të bësh diferencën.

Këtë gjë e kishin vlerësuar mirë në çdo nivel përfaqësuesit e dy markave, shumë prej të cilëve ishin të pranishëm në sallë.

“Unë e realizova ëndrrën time” – mbyll fjalën e tij Presidenti i Mektrin Motors, Edmond Shahini, si një përgjigje e koherente e sloganit “I have a dream” që ishte edhe motoja një mbrëmjeje që do të hapë një kapitull të ri të sektorit të luksit dhe performancës në çdo terren.Për këtë, keni fjalën e Jaguar dhe Land Rover!