na ndiq ne

Mbi 600 kuaj fuqi për X5 M dhe X6 M

21/10/2019

Sektori SUV nuk njeh më kufij, duke arritur të krijojë edhe një minisegment të modeleve superperformante me fuqi prej makinash sportive që mund të garojnë në pistë.

Nuk mund të mungonte këtu prodhuesi bavarez me përfaqësinë më ekstreme të modeleve të tij X5 dhe X6 në versionin “M“, sigël kjo e dedikuar më parë modeleve coupé apo sedan, në përgjithësi veturave të ulëta. Në prag të autosallonit të përtej Oqeanit që zhvillohet në Los Angeles, BMW ka prezantuar BMW X5 M dhe X6 M.

Motori i përdorur për këto makina është i njëjti me modelin M5 dhe M8. Bëhet fjalë këtu për njësinë 4.400 kubikë V8 në gjendje të zhvillojë 600 kuaj fuqi dhe 750 Nm moment rrotullues. Nëse kjo për dikë nuk mjafton, BMW ofron edhe këtu paketën “Competition” që çon fuqinë maksimale në 625 kuaj.

Kjo për të thënë që këto dy modele kanë edhe substancë në ADN dhe jo vetëm pamjen e jashtme, që në fakt do të luajë një rol të rëndësishëm në dallimin me modelet normale, si për të thënë “Unë jam ndryshe”. X5 M dhe X6 M kanë një pamje të kujdesur në detaje që përfshin thuajse çdo aspekt të pamjes së jashtme dhe të brendshme. Të dyja variantet janë respektivisht më agresive dhe me elementë prej makinash sportive si sediljet që të mbështjellin apo gomat me profil të hollë dhe pincat e frenave të zmadhuara dhe të dukshme.

Edhe grafika e kuadrit dixhital ndryshon nga ajo e modeleve “të zakonshme”. Të dy modelet janë të gjatë 494 cm dhe peshojnë 2.370 kg (për ata që nuk e dijnë, kanë të njëjtën shasi) por kjo nuk i pengon ato të kenë një performancë që një apo dy dekada përpara do të ishte e denjë për një supermakinë piste. Nga 0-100km/h këta “gjigandë” e arrijnë për vetëm 3.9 sekonda, kohë kjo 0.1 sekond më e lartë se ajo e versioneve me paketën Competition. Shpejtësia maksimale është e vetëkufizuar në nivelin 250km/h, por kundrejt një pagese është e mundur të hiqet kufizimi për të arritur kutotën 290 km/h. Nuk mund të mos pyesim këtu “vallë nuk mjafton shifra e kripur që kushtojnë këto makina për t’i marrë që në fillim në të tillë gjendje?”

Për sa i përket kambios BMW ruan “traditën” dhe ripropozon kambion automatike me tetë marsha të prodhuar nga ZF. Siç kemi parë edhe në modele të mëparshme BMW, tërheqja integrale xDrive në kushte normale ofron një tërheqje më të madhe në aksin e pasëm kur duam të ndjejmë një guidë më sportive ndërsa në kushte më të vështira për tërheqjen, merr përparësi aksi i përparmë.

E kotë të thuhet që thuajse çdo gjë këtu është e menaxhuar nga elektronika duke përfshirë edhe veçori si programi i guidës “Sport Plus” i dedikuar për guidën në pistë. Ndër të tjera, X5 dhe X6 M kanë edhe amortizatorët elektronikë, garanci kjo për një komoditet më të madh në rrugë por edhe për një makinë reaktive që i përshtatet stilit të guidës.

Sa kushton? Ende shpejt për këtë, por me siguri çmimi do të jetë për pak fatlumë.