na ndiq ne

Maserati GT2 Stradale: jo vetëm për pistë!

14/04/2025

Edhe pse Maserati është në krizë tashmë dhe grupi Stellantis nuk e përjashton shitjen, kompania na prezanton me një model të ri performant, të derivuar nga modeli MC20, me të cilin ka edhe mjaft ngjashmëri stilistike.

Modeli i ri i shkel syrin koleksionistëve sepse do të prodhohet në vetëm 914 njësi. Numër jo tamam i vogël, por duhet edhe të pranojmë që logo me tre shigjeta e markës së krijuar rreth 110 vjet më parë nga tre vëllezërit Maserati, në Bologna, gëzon ende një prestigj të veçantë.

Modeli i ri quhet Maserati GT2 Stradale dhe është versioni më “ekstrem” i supermakinës MC20 të pesë viteve më parë, nga e cila derivon. GT2 Stradale pasurohet me eksperiencën sportive dhe sjell në rrugë teknologjinë e zhvilluar në garat GT2 European Series. Efektive në pistë, por pa qenë tepër e ngurtë në rrugë, kjo makinë kompletohet më mirë me një paketë opsionale prej 18.000 eurosh.
Gati pesë vite pas debutimit të supermakinës Maserati MC20, vjen një version edhe më sportiv dhe më i shpejtë. Emri i ri, Maserati GT2 Stradale, nuk është rastësor: kjo makinë synon të sjellë në rrugë gjithçka që inxhinierët e Tridentit kanë zhvilluar në pistë me makinën që ka marrë pjesë në kampionatin GT2 European Series.
Struktura me “monoblock” me fibra karboni mbetet e njëjtë me atë të MC20, por GT2 Stradale dallohet menjëherë për elementët e rinj aerodinamikë dhe për gojëzat e ajrit më të mëdha dhe më agresive. Si i vendosur vetëm për pistë dhe jo për qytet, në pjesën e pasme spikat një spoilier në fibra karboni me përmasa të konsiderueshme. Mund të gradohet në tre pozicione dhe gjeneron një ngarkesë aerodinamike deri në 500 kg, gati katër herë më shumë se MC20.
Motori dhe kambio janë të njëjtët me MC20, por falë përmirësimeve në sistemin e ftohjes dhe të elektronikës, krahasuar me MC20, fuqia rritet me 10 kuaj fuqi dhe arrin fuqinë maksimale 500 xhiro/min më përpara. Motori V6 me 3.000kubikë zhvillon 640 kuaj fuqi që transferohen vetëm në rrotat e pasme përmes një diferenciali mekanik me vetëbllokim. Këtu hyn në fuqi paketa Performance Pack (18.000euro), që zëvendëson diferencialin mekanik me një njësi me kontroll elektronik.
Kjo paketë përfshin edhe përmirësime të tjera të rëndësishme si frenat me karbon-keramike më të mëdha, katër nivele programi në guidë dhe mundësinë e çaktivizimit total në përzgjedhjen “Corsa”.
Përdorimi i fibrave të karbonit e ul peshën me 60 kg krahasuar me MC20 për një rezultat përfundimtar 1.415 kg. GT2 Stradale kap 324 km/h dhe përshpejton nga 0 në 100 km/h për 2,8 sekonda.
Maserati GT2 Stradale do të prodhohet në vetëm 914 njësi, në nderim të vitit të themelimit të markës në vitin 1914, me një çmim fillestar prej 312.000 euro.