na ndiq ne

Marrëveshje strategjike Toyota-Mazda

23/09/2017

Është formalizuar aleanca midis Toyota-s dhe Mazda-s për ndërtimin e fabrikës së re në Shtetet e Bashkuara. Partneriteti strategjik midis dy kollosëve japonezë ka nisur që në vitin 2015. Akordi midis palëve bazohet tek zhvillimi i teknologjive elektrike dhe gjetja e zgjidhjes për makinat moderne të ndërlidhura kryesisht në platformën V2X (vehicle to everything – ndërlidhja makinë – me çdo gjë të ndërlidhur në sistem).

Sipas informacioneve zyrtare të lëshuara nga të dyja kompanitë prodhuese, fabrika e re amerikane do të menaxhohet sipas një formule “joint venture” me angazhim 50% për secilën kompani.

Është vendosur që aktiviteti i kësaj marrëveshjeje të startojë në 2021 por gjithsesi tashmë  janë bërë të ditur objektivat e prodhimit vjetor (300 mijë njësi) dhe vendet reja të punës (rreth 4 mijë). Për ndërtimin e fabrikës së re do të duhen gjithsej rreth 1,6 miliardë dollarë.

Përsa i përket modeleve të makinave Mazda do të prodhojë makina crossover për tregun vendas, ndërsa Toyota do të prodhojë modelin Corolla duke spostuar prodhimin e Tacomas në fabrikën meksikane të Guanajuato.

Toyota do t’i ofrojë Mazdës hapësirën e nevojshme në treg ndërsa fabrika e Hiroshimës do të ofrojë prodhimin e një makine “berlinë” kompakte.

Cfarë përfshin marrëveshja mbi “shkëmbimin” e aksioneve?

Bashkëpunimi dypalësh nga ana financiare parashikon një rritje reciproke të kapitalit nëpërmjet blerjes respektive të aksioneve nga të dyja palët me shumën 50 miliardë yen (rreth 382 milonë euro) për secilën kompani. Sipas llogarive të bëra nga të dy kompanitë, Toyota do të blejë 5% të Mazdas ndërsa Mazda do të ketë 0.25% të aksioneve të Toyota-s. Sigurisht që të gjitha operacionet që do të kryhen presin vlerësimin dhe miratimin e organeve kompetente vendase.