na ndiq ne

Lamborghini V12 Vision Gran Turismo tejkalon realitetin

25/11/2019

Sant’ Agata Bolognese, vendi i Lamborghini-t, ka vendosur të tejkalojë realitetin me një model që së paku të lë gojëhapur.Lamborghini V12 Vision Granturismo, i prezantuar në përputhje me FIA Certified Gran Turismo Championships 2019, në Monte Carlo bën debutin zyrtar, nëse kështu mund të thuhet.

Bëhet fjalë për një model “concept” që mund të quhet një kryevepër për sa i përket fantazisë dhe vizionit. Modeli do të jetë i disponueshëm virtualisht në lojërat elektronike Gran Turismo Sport, të platformës Sony Playstation 4.

Nga ana estetike, kjo Lambo vjen nga e ardhmja, megjithëse ka një motor “tokësor” që zhvillon 819 kuaj që ne e kemi parë edhe më parë në modele të tjera të prodhuesit italian.

Gomat ekstreme, linjat aerodinamike dhe futuriste, elementë në led dhe një vend i vetëm në kabinë e bëjnë këtë makinë të denjë për të fluturuar drejt hënës. Në fakt një mënyrë tjetër interpretimi e këtij modeli njëvendësh do të ishte edhe një makinë garash ekstreme (na vjen ndërmend F1) e veshur dhe e kamufluar me një “kostum” rrugor, por ADN e vërtetë del përtej kësaj “veshjeje” në pika të caktuara si amortizatorët e parë horizontalë apo spoiler-i i pasëm, thuajse identik me atë që kanë njëvendëshet në F1.

Lamborghini V12 Vision Gran Turismo mundëson hyrjen në kabinë njësoj si avionët luftarakë, duke hapur “xhamin” e kapsulës së kabinës dhe duke u zhytur në vendin e guidës. PAsi lidh rripin e sigurimit, një mesazh zanor të uron mirëseardhjen në të ardhmen, pardon, në bord dhe më tej pjesa tjetër është një eksperiencë që nuk mund të imagjinohet e as të tregohet.