na ndiq ne

Lamborghini Urus, Super Suv-i që mungonte

12/11/2017

Çfarë kanë të përbashkët Lamborghini, Bentley  dhe Rolls Royce? Përveç faktit që janë makina shumë të shtrenjta dhe ekskluzive? Janë ndoshta markat logot e të cilave asnjë nuk priste të shihte mbi një SUV, por me sa duket, ky segment mbetet i parezistueshëm. Ndoshta prej një logjike komerciale, ndoshta sepse përfaqëson një sfidë të re, kjo ka pak rëndësi. Fakt është që Bentley ka prezantuar në treg modelin Bentayga, Rolls Royce përgatit modelin Cullinan, edhe Lamborghini është shumë afër debutit tashmë të SUV-it të tyre.

Data 4 dhjetor do të jetë një ditë e shënuar per kompaninë italiane sepse do të prezantohet për herë të parë modeli i ri Suv që do të ndryshojë të ardhmen e Lamborghinit. Urus përfaqëson një ndryshim epokal për Lamborghinin që synon një zgjerim të shpejtë në këtë segment. Emri Urus, si në traditën Lamborghini, është emri i një race demash, specia në këtë rast, e egër.

Makina prezantohet me një design shumë agresiv, tipike e të gjitha modeleve Lambo.

Modeli i ri Lamborghini Urus, një suv supersportiv me motor 600kf, ka si objektiv të rrisë shitjet e kompanisë në të gjithë botën.

Ky model është kryesisht i përshtatshëm për përdorim në rrugë, por sistemi me katër rrota aktive dhe përzgjedhje të programeve të guidës lejojnë këtë Suv që të “ecë” edhe në rërë. Xhirimet e para të Urus, siç e tregon edhe video ilustruese e prezantuar nga Lamborghini, janë bërë jo pa qëllim në shkretëtirë, ndoshta edhe për t’i shkelur pak syrin klientelës sheike, e cila njihet si shumë e pasur dhe e pakursyer në luks dhe “objekte” zbavitjeje.

Në brendësi të makinës dallohet menjëherë Anima (ose Shpirti – nga italishtja) regjistruesi i programimit të guidës që menaxhon disa parametra të makinës. Përgjigjia e motorit, butësia e amortizatorëve, shpejtësia e ndërrimit të marshave në funksion të llojit të rrugës së zgjedhur janë disa nga funksionet e mundshme. Përveç programeve që gjejmë në një Lamborghini sportive si Rrugë, Sport dhe Garë tashmë gjejmë edhe tre programe të shtuara si Rërë, Tokë dhe Borë të vendosura pikërisht për të përmirësuar guidën në këto terrene.

Programe të këtij lloji gjenden zakonisht në makinat fuoristrada dhe Suv të tipologjisë off-road dhe nuk është gjëja më e zakonshme që në një veturë me motor V8 biturbo që shkon nga 0 në 100 km/h në 4 sekonda të gjesh programe të tilla. Ka zëra që Lamborghini Urus do të ketë skelet të njejtë me Audi Q8 e ardhshme por gjithsesi teknikët italianë kanë punuar për ta personalizuar dhe për të sjellë një Lamborghini të vërtetë. Në pritje të çmimit, që nuk do të jetë i ulët, vrasim mendjen se cili do të jetë ai klient që pret të ecë në borë me një Lamborghini.