na ndiq ne

Jaguar I-Pace dhe Waymo drejt guidës autonome

28/03/2018

Jaguar I-Pace duket se ka bërë bingo që në ditët e para të komercializimit. Xhevahiri i fundit i prodhuesit anglez, 100% elektrik, pra miqësor me mjedisin, por performant sipas traditës më të mirë të prodhuesit anglez.

Kështu, duket se Jaguar ka arritur të fitojë vëmendjen e Waymo-s, për krijuar një flotë të re të madhe në numra. Porosia nga Waymo është për 20.000 njësi të cilat do të përdoren gjerësisht në testet që kompania do të bëjë përgjatë 2018 e në vazhdim.

Waymo është duke përgatitur një flotë të veçantë makinash që vetëngiten, të cilat do të përdoren si taksitë e para pa shofer. Shërbimi, sipas disa burimeve të pakonfirmuara ende, pritet të fillojë këtë vit në Shtetet e Bashkuara dhe Jaguar I-Pace pritet të debutojë si propozimi luksoz në këtë shërbim.

20.000 I-Pace do të aktivizohen brenda 2020, siç është edhe parashikuar nga kontrata midis Jaguar dhe Waymo, por detajet e tjera të kontratës janë mbajtur konfidencialë.

Waymo synon të rrisë fitimet nëpërmjet përdorimit të I-Pace, të cilët do të punojnë në një regjim prej 1 milion thirrjesh në ditë. E lehtë të imagjinohet ky fitim nëse mendojmë kursimin e gjeneruar nga këto miliona kilometra të përshkuar vetëm duke karikuar bateritë.

Jaguar është jo vetëm një propozim premium për këtë shërbim, por është njëkohësisht një mjet i përshtatshëm nga ana e autonomisë, duke premtuar mbi 500km me një karikim të vetëm.

Waymo është kompania e krijuar nga Google që prej vitit 2009 që i dedikohet transportit të avancuar me objektiv thjeshtimin e jetës së njerëzve. Deri tani, makinat e Waymo-s që vetëngiten kanë përshkuar mbi 8 milionë kilometra në rrugët e qyteteve në 25 shtete të Amerikës ndërsa në total kanë përshkuar mbi 8 miliardë kilometra në testet ededikuara që janë kryer në kushte të izoluara ose të survejuara trafiku.