na ndiq ne

Jaguar F-Type rinovohet

06/12/2019

Makinat sportive, ikona të përjetshme të automobilizmit duket se janë harruar paksa së fundmi, në një epokë kur sigla SUV sundon sovrane. E megjithatë, disa prodhues historikë jo vetëm që nuk i harrojnë ato, por madje i kanë modele të rëndësishme, pjesë të identitetit të tyre.

Është ky rasti i Jaguar F-Type, një model që i ka rrënjët në fillimet e viteve ’60dhe që prodhuesi anglez vazhdon ende ta ripropozojë duke e rinovuar atë vazhdimisht.

Modeli në fjalë ka debutuar për herë të parë në vitin 2013 me versionin Convertible, për të pasuar një vit më vonë me versionin Coupé, i cili pas 5 vitesh pëson një operacion facelift të rëndësishëm.

Gjëja e parë që bie në sy është pjesa ballore dhe i gjithë turiri të cilat janë ato me ndryshimet më të mëdha. Përmasat dhe raportet mbeten të pandryshuara, por design-i i rinovuar sjell gati gati në makinë të re. Stili i ri është më në linjë me design-in e modeleve të tjera aktuale. Kështu fenerët zhvillohen në drejtim horizontal dhe janë në Led. Maskerino fiton në përmasa dduke u bërë më dukshme dhe më dominante për t’idhënë në tërësi pamjes ballore më shumë karakter. Këto ndryshime kushtëzojnë patjetër rinovimin e kapakut të motorit dhe parafangot e para që tani kanë linja më të pastra. I gjithë profili ka ndryshime estetike të lehta, me ndryshimin kryesor zhdukjen e “velëzave” të ajrosjes, që në tërësi sjellin një makinë të rinovuar dhe më moderne.

Në pjesën e pasme ndryshimi më i dallueshëm është ai i tubave të shkarkimit që tani bëhen katër, nga dy tek modeli i mëparshëm dhe ndahen nga dy për çdo skaj pak më brenda rrotave, në vend të vendosjes qendrore tek modeli paraardhës.



Nga brenda ndryshimet janë minimale nga ana e design, por teknologjia bëhet bashkëkohore. Nga ana e cilësisë së materialeve të përdorura këtu do të gjejmë lëkurë Windsor me detaje si logo vintage “Jaguar est. 1935” realizuar në metal Noble apo Jaguari i stampuar në relievtek kokat e sediljeve. Kuadri tani është dixhital me përmasa 12.3” dhe përfshin funksionet e sistemit më të ri Interactive Driver Display.

Pjesa më interesante natyrisht në një Jaguar F-Type pritet të jenë motorët. Njësia minimale është ajo me katër cilindra, me vëllim 2.000 kubikë në gjendje të zhvillojë 300 kuaj fuqi me një moment rrotullues prej 400 Nm. Për nostalgjikët dhe të apasionuarit kalojmë menjëherë në njësinë 5.000 kubikë V8 Supercharged me 450 kuaj fuqi dhe moment rrotullues prej 580 Nm. Ky motor mund të përzgjidhet edhe në versionin më të fuqishëm me 575 kuaj fuqi dhe 700 Nm.

Për të gjithë kambio është automatike me tetë marsha. Tërheqja është në aksin e pasëm për versionin me katër cilindra ndërsa për versionet e tjera ofrohet mundësia e tërheqjes 4×4. Versioni më i fuqishëm do të ofrohet vetëm në konfigurimin sportiv R me tërheqje 4×4.

Performanca flet për një kohë 0-100km/h për 5.7 sekonda për versionin më pak të fuqishëm. Versioni V8 me 450 kuaj arrin 0-100km/h për 4.6 sekonda ndërsa versioni më i fuqishëm kap një 3.7 sekonda të përgëzueshëm.

Kjo makinë do të jetë e disponueshme për tregjet europiane duke filluar nga pak më shumë se 60.000euro për versionin 2.0 ndërsa për versionet e tjera shifrat rriten në nivelet 130.000 euro.