Hyundai prezanton Nexo
Elektrike me hidrogjen? Hyundai beson se mund të jetë një drejtim i qendrueshëm
Hidrogjeni është një gaz që me sa duket nuk është zhdukur nga harta e alternativave të karburanteve tradicionale dhe për dikë mbetet një rrugë e mirë alternative për automjete me impakt mjedisor zero.
Një nga prodhuesit automotive që beson tek hidrogjeni është edhe kolosi korean Hyundai, i cili ripropozon modelin Nexo.
Hidrogjeni është një gaz që ende nuk ka shpërndarje të gjerë, por në qoftë se ecuria në tregjet ndërkombëtare dhe në teknologji do ta lejojnë, mund të kthehet në konsum të përditshëm për shumë vende.
Dyshojmë se Shqipëria do të jetë një nga këto vende, të paktën jo në një të ardhme të afërt, por vështirë të parashikojmë qartë se çfarë do të ndodhë në skenarët e së ardhmes së largët të tregut automotive botëror. Makinat me teknologjinë “Fuel cell” kanë të përbashkët motorin elektrik me makinat elektrike të deritanishme, por ndryshojnë në menyrën se si furnizohen me korent.
Ndryshe nga makinat elektrike me bateri të karikueshme, në makinat me “fuel cell”, hidrogjeni furnizon “baterinë” që nuk është një bateri tradicionale, e cila prodhon energji elektrike nëpërmjet një reaksioni kimik me oksigjenin. Energjia e prodhuar furnizon motorin elektrik. Pasi hidrogjeni mbarohet, bombula rimbushet me hidrogjen, njësoj siç furnizojmë sot makinat me gaz. Koha e karikimit është e shpejtë dhe bombula rimbushet shumë here, në mënyrë të ngjashme me bombulat e gazit gpl. Ndryshimi është se trysnia e hidrogjenit është shumë më e lartë, duke ngritur keshtu dyshime serioze mbi sigurinë e këtij “karburanti” alternativ.
Modeli i ri NEXO vjen totalisht i rinovuar dhe tani premton 700 km autonomi, por me një kohë karikimi minimale prej 5 minutash. Fuqia e motorit është 258 kuaj fuqi, që duhet t’i garantojnë performancë të mirë dhe një përshpejtim 0 – 100 km/h për 7.8 sekonda.
Nexo e re është më e madhe se modeli që zëvendëson. Është 10 cm më e gjatë se modeli i mëparshëm, saktësisht 475cm, që e bëjnë atë edhe më të madhe se një BMW X3 (gjenerata G01). Gjerësia është 186 cm dhe distanca midis akseve 279cm bëjnë të mendosh për një makinë me hapësirë të bollshme për pasagjerët.
Edhe pse duhet ta shohim më mirë dhe nga afër, nga imazhet e para që Hyundai ka publikuar, Nexo duket se sjell një stil me forma të spikatura dhe cepa katrorë, ndoshta të ngjashme me modelin e ri Santa Fe.
Brenda Nexo paraqet stil të ngjashëm me modele të tjera të familjes Hyundai. Dallohet qartë ekrani Led i ndarë në dy njësi. Njëri që ofron informacionet e nevojshme në lidhje me motorin, performancën, guidën, etj ndërsa tjetri mbulon funksionet e infotainment, klimatizatorit etj. Dallojmë gjithashtu në skaje të kruskotit edhe dy ekranet që zëvendësojnë pasqyrat e jashtme, ku projektohen pamjet e marra nga kamerat anësore.
Hyundai Nexo do të jetë e pajisur me teknologji që të përllogarisë ndalesat e nevojshme për furnizim, në varësi të rrugës së zgjedhur drejt destinacionit të dëshiruar. Kjo makinë mund të hapet nëpërmjet telefonit ose edhe nëpërmjet shenjave të gishtërinjve.
Nexo e re duket se merr nota të larta në siguri, duke siguruar pesë yje në crash test-et e ndryshme. Ky Suv i ri është ndërtuar mbi një strukturë “multi-skelet” dhe është i pajisur me 9 airbag, një prej të cilëve “mbron” edhe serbatorin e hidrogjenit.
Hyundai Nexo do të jetë e pajisur gjithashtu me të gjitha teknologjitë e avancuara që ndihmojnë në sigurinë aktive për parandalimin e përplasjeve si dhe për asistencën në guidë.