Hyundai përgatit Ioniq 7
Luksi teknologjik do të ketë një format të ri
Duket se projekti Ioniq 7 ka avancuar mjaftueshëm, saqë kolosi korean po mendon për lançimin e këtij modeli. Pas suksesit të Ioniq 5 dhe Ioniq 6, modeleve të ndërtuar mbi platformën e dedikuar automjeteve elektrike e-GMP, rradha i takon një segmenti më të lartë.
Ndërkohë që Ioniq 5 dhe Ioniq 6 janë modele në segmentin D, duket se Ioniq 7 model që ka krijuar pritshmëri të larta, në fakt, do të jetë një segment më sipër, segmenti E, të cilin natyrisht mund ta konfirmojmë në momentin e prezantimit zyrtar. E gjatë pesë metra dhe gati dy metra e gjerë, Ioniq 7 do të ketë një kabinë me vëllim të bollshëm për shtatë pasagjerë. Pavarësisht përmasave, designer-at koreanë kanë bërë një punë cilësore duke i dhënë forma harmonike dhe me stil origjinal.
Nga brenda Ioniq 7 do të jetë një sallon i vërtetë jo vetëm nga hapësira, por edhe nga interpretimi i aksesit në bord. Siç shihet dhe në foto, pas hapjes së dyerve, hapësira është tërësisht e lirë dhe nuk pengohet nga “kolona” metalike ku zakonisht mbështeten dyert.
Ioniq 7 bazohet në prototipin Seven, të prezantuar në vitin 2021, nga e cila merr mjaft detaje estetike. Për sa i përket pjesës teknike, Ioniq 7 do ta ketë të njëjtë me “motrën” Kia EV9.
Të dhënat e sakta duhet të konfirmohen ende, por Ioniq 7 do të ketë dy konfigurime, me pesë dhe shtatë vende. Edhe motorizimi do të ketë dy variante: me një motor të vetëm me 204 kuaj fuqi ose me dy motorë, në këtë rast me 385 kuaj fuqi.
Autonomia duhet të jetë së paku 500 km dhe me mundësi karikimi të shpejtë, por detajet teknike me siguri do të kemi mundësi t’i shqyrtojmë me prezatimin zyrtar të modelit dhe të gjitha të dhënave teknike.