na ndiq ne

Honda Civic Type R

30/07/2017

Përshkrimi i parë do të ishte “veturë kompakte me pesë dyer”, por ky përshkrim nuk e ndihmon shumë imagjinatën për të bërë lidhjen me ato linja sportive ekstreme të një design-i të një makine sportive safí. Më saktësisht, jemi duke folur për versonin special Type R të Honda Civic. Megjithëse paraqitet me linja virtuale të një modeli të denjë për një videogame, Type R është një makinë e vërtetë të cilën mund ta ngasësh mbi asfalt.

Me linjat e saj të forta dhe një imazh prej makine sportive, kjo Civic Type R të orienton menjëherë drejt pistës më shumë sesa drejt rrugës normale.

Në timon, ndjesia e parë që të krijohet është ajo e një makine sportive e projektuar për të fluturuar nga kthesa në kthesë, por perceptohet gjithashtu edhe një veturë e përshtatshme për perdorim qytetar.

Një makinë e ngurtë patjetër, kjo veti është e detyrueshme duke parë sportivitetin në ADN të saj, por duket më e rehatshme se modelet paraardhëse, e vërtetë kjo gjë sidomos nëse përzgjedhim opsionin “comfort” (i pranishëm së bashku me opsionet e tjera “sport” dhe “+R” të pranishme edhe në versionet e mëparshme të këtij modeli). Këtu amortizatorët kanë meritën kryesore, falë vetisë së ngurtësisë së tyre të ndryshueshme në varësi të mënyrës së guidës dhë sipas gjëndjes së rrugës. Një përgjigje e mirë gjithashtu vjen edhe nga motori, një 2.0 turbo (benzine) me 320kuaj fuqi, i cili arrin të jetë fluid dhe jo agresiv në një përdorim më normal, falë vlerës së lartë të momentit përdredhës e cila mundëson një përgjigje të menjëhershme të motorit.

Shkarkimi i gazrave është një tjetër risi e teknikëve japonezë: ai përmban tre dalje të cilat duke u koordinuar krijojnë mundësinë e “çlirimit” të ulërimës vetëm gjatë shkeljes së gazit në mënyrë agresive dhe në zonat e larta të xhirove.

Në autostradë Type R është një mjet jo i zhurmshëm dhe i rehatshëm, por në shpejtësi të mëdha dëgjohet disi zhurma e rrotullimit të rrotave. Të apasionuarit e saj ama do të vlerësojnë më shumë sjelljen e saj në pistë, ku pasi përzgjidhet “sport” Type R tregon natyrën e saj të vërtetë: Timoni ngurtësohet dhe bëhet më reaktiv, motori përgjigjet me vendosmëri dhe e gjithë shasia bëhet më e ngurtë. Këto ndryshime bëjnë që Type R të mbajë shumë më shumë në kthesa dhe motori të tregojë shpirtin e tij të vërtetë sidomos kur shkon drejt zonës së kuqe të xhirove të motorit.

Kjo makinë arrin shpejtësinë maksimale 272km/h falë edhe punës së mirë të projektuesve japonezë të aerodinamikës.

Duhen mbi 35.000euro (edhe në varësi të opsioneve të zgjedhura) për të shtënë në dorë këtë bizhuteri japoneze dhe ky çmim nuk është i lartë nëse mendon se ajo që merr është një makinë sportive plot me teknologji dhe emocione.