Ford GT shton fuqinë
Sportivja amerikane “freskon” motorin dhe detaje të tjera
Sportivja ekstreme amerikane Ford GT lind për herë të parë në vitet ’60 me qëllim pjesëmarrjen dhe fitoret në garat e rezistencës. Fitoren e parë Ford GT40 (ky është emri i modelit të parë) e arrin në vitin 1966.
Që atëherë Ford ka vazhduar të prodhojë modelin GT në sasi të kufizuar për një klientelë të zgjedhur dhe të kufizuar. Modeli aktual është prezantuar për herë të parë në vitin 2015 dhe këtë vit duket se ka fituar vëmendjen e projektuesve për ta “freskuar” disi në disa drejtime. Në fakt kjo nuk është një detyrë e thjeshtë pasi një makinë ëndërrash vështirë të përmirësohet, por teknikët e Ford kanë bërë një punë intensive. Le të shohim cilat janë risitë.

Motori, që është edhe zemra e një makine sportive, është një njësi ekstreme V6 3.500 kubikë EcoBoost. Në bashkëpunim me sektorin e garave Ford, këtu janë bërë ndërhyrje në drejtim injektorëve dhe impiantit të ftohjes që tani ftoh më mirë pistonët. Falë këtyre ndryshimeve, fuqia rritet me 14 kuaj për një total prej 660 kuajsh. Përmirësohet edhe kurba e zhvillimit të fuqisë për një kontroll më të mirë të makinës në regjime të larta.
Motori i ri ka edhe një “zë” më të fortë falë ndërhyrjes së prodhuesit të marmitës Akrapovic. Marmita e re është 4 kg më e lehtë, në dobi të performancës dhe përmirëson ndjeshëm edhe zhurmën e kësaj bishe, të paktën kështu premton Ford.

Amortizatorët kanë pësuar ndryshime në fortësi për një performancë më të mirë në gradimin “Pistë” ku GT jep edhe më të mirën e tij.
Në fund estetika parashikon dy “kostume” të reja: Gulf Racing Heritage Livery me ngjyrat blu dhe portokalli që frymëzohet nga modeli fitimtar i viteve ’60 në garëm 24 Orë të Le Mans dhe një version që do ta kishim zgjedhur me sy mbyllur, me look total black e quajtur “Liquid Carbon” me përdorim masiv të fibrës së karbonit e cila as nuk lyhet për një pamje të gjallë e të paprekur. Me fibër karboni janë ndërtuar edhe disqet sportive me përmasa piste.

Ford GT do të prodhohet në fabrikën kanadeze Multimatic. Kjo fabrikë e ka të qartë misionin e saj: në vitin 2022 do të përfundojë dorëzimin e ekzemplarit nr 1.000 dhe nuk do të prodhojnë më as edhe një njësi më shumë.
Na pëlqen ose jo, ky është vendimi i Ford, pak i çuditshëm në fakt kur rradha e koleksionistëve për të blerë një GT është vërtet e gjatë.




