na ndiq ne

Ford Bronco

29/10/2020

Muskuj dhe fuqi Made in USA

 Për modelet e veçanta prodhuesi amerikan duket se zgjedh emra të racave të kuajve. Përveç Mustang që është thuajse një markë më vete për veturat, Ford sjell modelin Bronco, një model off road “i egër dhe i pazbutur”.

Bronco është një model që është prodhuar më parë në periudhën 1965 – 1996, por që me sa duket, bazuar në historinë dhe suksesin e mëparshëm, Ford ka vendosur ta risjellë në jetë duke e modernizuar aty ku është e mundur.

Siç ndodh nganjëherë, gjërat e bukura mbeten shpesh objekte dëshirash sepse Ford parashikon që Bronco të debutojë vetëm në Amerikën e Veriut dhe me një çmim shumë atraktiv që fillojnë 29.995 dollarë. Kësaj i duhen shtuar natyrisht taksat, por duke parë se çfarë ofrohet, çmimi mbetet pikë e fortë.

Po si është Ford Bronco? Ky model i shkel syrin të apasionuarve të fuoristradës serioze dhe shënjestron modele konkurrente si Jeep Wrangler apo Land Rover Defender. Njësoj si to edhe Bronco ofrohet në dy versione karrocerie: me dy dhe me katër dyer. Gjatësia shkon nga 441 cm për versionin e “shkurtër” deri në 481 cm për versionin e gjatë.

Xhami i “derës” së pasme të bagazhit, që japet pikërisht si derë, mund të hiqet së bashku me dyert duke e bërë kështu një model gati për aventurat në territoret e Safarit.

Nga ana e formës Bronco risjell një frymë disi vintage në kujtim të modeleve të vjetra, por ripërpunimi është modern dhe aktual. Psh. fenerët janë të rrumbullakët, por kanë drita Led.

E gjithë vëmendja i kushtohet përdorimit jashtë asfaltit. Mund të përmendim këtu përshembull mborjtëset e shumta plastike në parafango, poshtë motorit, etj etj. Gomat janë gjigande me përmasa që shkojnë deri në 35”.

Brenda Bronco edhepse kujton të kaluarën është edhe më moderne me ekranin e madh Led në qendër të kruskotit i cili është në gjendje të lidhet me internetin me sistemin 4G. Ndërlidhja për navigatorin ofron info nga platformat NeoTreks’ AccuTerra Maps, ku mund të gjenden mbi 1.000 propozime ekskursionesh off road.

Telajo e Broncos, është në strukturë çeliku siç janë fuoristradat ekstreme. Lartësia nga toka është 21 cm në kushte normale dhe shkon deri në 29 cm në rastin e gomave 35”. Bronco është e pajisur me sistemin Terrain Management System që optimizon guidën dhe tërheqjen në kushte të ndryshme të vështira. Këtu ofrohen deri në shtatë programe që shkojnë nga përdorimi në asfalt e deri në kushtet ekstreme si shkëmbinj apo gjol. Tërheqja është 4×4 e thjeshtë për modelet bazë ndërsa për modelet e evoluara ofrohet edhe kambio me marsha të reduktuara (ose me marshat e shkkurtra siç i themi nganjëherë në shqip).

Motorët e Ford Bronco-s janë të gjithë EcoBoost me katër cilindra turbo 2.300 kubikë dhe 274 kuaj fuqi dhe me 6 cilindra bi-turbo 2.700 kubikë me 314 kuaj fuqi. Kambio është automatike me 10 marsha por për këtë model ne do të zgjidhnim kambion manuale me shtatë marsha.

Ju cilin version do të zgjidhnit? 😉