Ferrari Luce
Ferrari që duhet të sillte Dritë
Para pak ditësh publikuam një artikull që vinte në pah ndryshimet e “mëdha” midis traditës europiane të markave automobilistike dhe atyre kineze. Këto ndryshime janë gjeneracionale për sa i përket teknologjisë dhe emocionale nga ana historike.
Kjo e dyta, për disa marka ka qenë elementi kryesor i çfarë një markë përfaqëson, sidomos ndër markat sportive, ku Ferrari ka qenë gjithmonë një emblemë e olimpit automobilistik.
E pra, nuk do ta kishim planifikuar dot më mirë publikimin e artikullit tonë dhe prezantimit të modelit të ri të prodhuesit nga Maranello.
Prezantimi
Quhet Ferrari Luce dhe ka bërë më shumë zhurmë se çdo model tjetër në historinë e Ferrari-t. Zhurma në përgjithësi, në industrinë e komunikimit (lexo PR) nuk duhet injoruar, edhe pse tashmë mund të jetë shumë vonë. Mbajmë parasysh këtu që për një model të tillë me teknologji të re mund të jenë dashur diçka midis 4-6 vite.
Ferrari Luce u prezantua më 25 maj, në një tempull të arkitekturës urbane siç është Vela e arkitektit Calatrava, në Romë. Data 25 maj është një përvjetor i fitores së parë të Ferrari-t në një garë automobilistike në vitin 1947.
Por pavarësisht datës historike, modeli Luce duket deri më tani modeli më i kritikuar ndonjëherë. Edhe pse nga ana e numrave flet si një Ferrari, me 1.000 kuaj fuqi dhe një përshpejtim nga 0 – 100km/h për vetëm 2.5 sekonda dhe nga 0 – 200km/h për vetëm 6.8 sekonda, vëmendja shkoi gjetiu.
Le ta analizojmë me kujdes çfarë nuk është pëlqyer nga Ferrari Luce.

Design
Jo sepse ka pesë vende të bollshme, jo sepse ka bagazhin e një stationwagon, jo sepse ka më shumë hapësirë se një Skoda, por sepse design është krejtësisht i ri dhe pa asnjë lidhje me trashëgiminë Ferrari.
Folëm për emocione më parë? Pikërisht, kjo makinë, sidomos e prezantuar në bojëqielli të paparë ndonjëherë, nuk flet më në gjuhën e emocioneve.
Motori
Në këtë rast është elektrik, si gjithë motorët elektrikë që janë të fuqishëm, ekologjikë dhe pa zhurmë! Pra kalojmë nga motorët V12, të quajtur shpesh në mënyrë metaforike si simfoni inxhinieristike, në një motor të shurdhët. Klientela Ferrari priste diçka tjetër.
Shpirti
Të flasësh për shpirt në një objekt industrial është padyshim e qartë që kemi të bëjmë me një hiperbolë, një eufori pasioni. Asnjë nuk e din saktësisht se në cilën pjesë të makinës do të gjendej “shpirti”. Pavarësisht këtij fakti, një pjesë e komunikimeve të orëve të fundit e ka quajtur Luce-n një Ferrari pa shpirt.
Jo rastësisht kujtojmë këtu që Lamborghini, antagonisti historik “Made in Italy”, pjesë e grupit Volkswagen prej vitesh, ka hequr dorë nga modelet elektrike.
Çmimi
Një tjetër element jo i parëndësishëm: Ferrari Luce kushton si çmim bazë 550.000euro dhe nga eksperienca dimë që çmimi mund të shkojë shumë më lart pas personalizimeve që klientela tekanjoze din të kërkojë.
E ardhmja
Edhe pse e shurdhët nga motori, Ferrari Luce ka prodhuar shumë zhurmë në debutin e saj dhe duket se prodhimi i parë është parë minteres nga një pjesë e klientelës. Pavarësisht kësaj, ndarja e publikut është e qartë. Disa mendojnë se Ferrari Luce do të jetë modeli që do të fundosë markën, disa të tjerë mendojnë se do të jetë modeli që do ta projektojë në të ardhmen. Çfarë do të ndodhë në të vërtetë, vetëm koha do ta tregojë. Një gjë ama është e sigurt, kjo do të jetë Ferrari e parë për të cilën nuk do të kthejmë kokën.



