Ferrari 812 Superfast
Ferrari 812 Superfast
Superfast është emri i krijesës së fundit nga shtëpia e Maranellos. 812 Superfast (i plotë në formulën “emër, mbiemër”) është një simbol i vërtetë për nga ana teknologjike me karakteristika unike: 12 cilindra, fuqi dhe shpejtësi pa fund dhe një trashëgimi epike të ngulitur në ADN pikërisht për ato gjëra për të cilat Ferrari është e famshme.
Është e ngjashme me F12 nga bukuria, por dikujt do t’i duket disi më elegante. Flavio Manzoni , arkitekti i kësaj vepre bashkëkohore, më shumë se nga ana estetike është udhëhequr nga ana inxhinierike.
Kjo veturë ka një design bashkëkohor por me një aerodinamikë që është dukshëm pjesë përbërëse e saj. Ajri që hyn nga “goja” e madhe e përparme bashkohet me ajrin që hyn nga hapjet agresive në të dy faqet anësore duke krijuar kështu një ngjeshje aerodinamike perfekte për të dhënë më shumë aderencë në qëndrueshmëri në kthesa.
Shasia e makinës është ridizenjuar për një efiçencë më të lartë dhe së bashku me shtypjen e ajrit që vjen nga sipër ushtron një shtypje prej 140kg në shpejtësinë 200kmh. Nëse shpejtësia vazhdon të rritet, atëherë tre fletët e vendosura në hapjen e pasme të makinës së bashku me dy fletët nën shasi kundërveprojnë për të evituar rritjen e tepërt të shtypjes për të mos e rënduar më shumë seç duhet këtë “plumb” me rrota.
Motori i kësaj makine, është i trashëguar nga F12. 12 cilindrat mbeten të pandryshuar por mekanizmat dhe funksionimi është rinovuar mbi 75%. Vëllimi i motorit rritet në 6500cm3 (nga 6300 ) dhe fuqia arrin deri në 800 kuaj. Po po, janë 800 kuaj fuqi të disponueshëm në 8.500 xhiro/min të cilat nëse e shtypim pedalin dërrasë ngjiten me shpejtësi deri në 8.900 xhiro/min duke u ndalur këtu nga limitatori elektronik.
Avantreni solid (i trashëguar nga TdF 812) mbështetet në goma XL në përmasat 275/35 R20. Rrotat e pasme janë aktive dhe ndjekin drejtimin e rrotave të para deri në 2,12 gradë, aq sa mjafton për të garantuar një qëndrueshmëri në shpejtësi të mëdha. 812 është Ferrari e parë me timon elektrik 100%.
Në pistë, 12 cilindrat e 812 janë një ulërimë e gjallë! Nuk ka një përshkrim tjetër për këtë motor. Motori arrin regjimin e tij të efiçencës (momentin përdredhës) në 7.000 xhiro dhe ngjitet deri në 8.900 xhiro në mënyrë të jashtëzakonshme. Me këto ritme, marshet ndjekin njëri-tjetrin dhe befas gjendesh kollaj në shpejtësi të ndaluara. Kjo makinë ka një sprint unik: 2.9 sekonda nga 0-100 km/h dhe 5 sekonda të tjerë për të arritur 200km/h! Gjatë guidës së kësaj makine gjendesh shpesh i dyzuar midis fizikës dhe instiktit: aty ku instikti thotë se duhet të frenosh, fizika sipas kësaj makine thotë se ka ende kohë, por për ta zbutur këtë bishë duhet një experiencë shumë mbi mesataren, pavarësisht se elektronika jep një ndihmë jo të vogël.
Nga momenti i porosisë së kësaj makine e deri në dorëzimin e çelësave këshillojmë një kurs pilotimi të domosdoshëm për ta shijuar këtë vepër inxhinierike italiane, ndërsa për çmimin, nuk kemi asnjë këshillë, ai është për “xhepa” shumë të paktë në Shqipëri: 292.000 euro si çmim bazë, nëse nuk do të keni kapriço të tjera për të plotësuar. Lista e opsioneve shtesë do t’ju prezantohet patjetër dhe vështirë t’i rezistoni.