Cupra Leon TCR
Cupra, tashmë një markë sportive ose më mirë një nënmarkë e prodhuesit spanjoll pjesë e grupit Volkswagen, prezanton një model të ri dhe ambicioz (lexo këtu artikullin e lançimit të markës Cupra).
Le të sqarojmë më parë emrin e gjatë të modelit të ri: Cupra, siç e thamë është marka nën të cilën Seat do të prodhojë modelet sportive, Leon është emri i modelit, që qartësisht merr bazën nga Seat Leon dhe TCR është kampionati zyrtar botëror ku Cupra Leon garon, në të cilin mund të marrin pjesë makinat e segmentit C (të njohura si hatchback ose berlina kompakte me pesë dyer).
Ok,boll me teori. Si është Cupra Leon TCR??
Cupra Leon TCR është propozimi i Seat kundrejt konkurrencës me emra si Megane RS, Ford Focus RS, Subaru Impreza WRX apo edhe Golf GTI brenda familjes. Sipas premtimit të prodhuesit spanjoll Cupra Leon TCR është një makinë sportive piste, zakonisht për pak xhepa, e cila arrihet me buxhete më humane. Le të shohim se çfarë ofrohet në këtë Cupra Leon përveç bizhuterive në fibër karboni dhe efekte gold. Pamja e kësaj Cupra Leon TCR është vërtet agresive me disqet gjigande, fibër karbonitë shpërndarë nga pak gjithandej dhe detajet racing në kofano (goja e madhe e ajrit) në profil (daljet e ajrit në formë velëzash) dhe spoileri (ose bishti) gjigand në pjesën e pasme për të krijuar ngjeshjen e duhur aerodinamike.
Nga brenda ky look përforcohet nga përforcimi i kabinës në tuba alumini duke krijuar kafazin e sigurisë për pilotin, sediljet racing (një trup i vetëm) dhe leva e marshit e gjatë deri afër timonit për të mundësuar ndërrime marshi të rrufeshme me lëvizje minimale të dorës. Mos vallë dikush donte të dëgjonte kambio automatike? Për dikë kjo fjalë, në një ambjent të tillë mund të ngjajë më shumë me një fjalë të pistë 😊 Gjithsesi Cupra Leon mundëson kambion sekuenciale DSG me ndërrim marshash tek timoni.
Motori dhe performanca? Njësia motorike është 2.000 kubikë, e kotë të themi me benzinë, TSI, e njëjta e modelit Cupra Leon të homologuar për rrugë. Në versionin TCR kjo njësi zhvillon 350 kuaj fuqi në 6.200 xhiro/min. Nga 0-100 arrihem në 5.2 sekonda dhe sipas të gjithë atyre që e kanë provuar, Cupra Leon TCR është një makinë gare e vërtetë. Do të jetë kjo arsyeja që me këtë makinë nuk mund të qarkullohet në rrugë, por në pistë ama … 😉