Corvette i ri quhet Stingray …
Corvette është një nga ato makina që ka humbur “nevojën” e përkatësisë së markës Chevrolet, duke krijuar gati gati një markë më vete. Mjafton të thuash Corvette dhe të gjithë e njohin mitin “Made in USA” që përkthehet në makina performante, por që nga ana financiare nuk kanë qenë të paarritshme. Në Europë në fakt nuk kanë patur ndonjë sukses të madh, por sepse Corvette nuk është shitur kurrë në rrugë zyrtare.
Modeli i ri i Corvette, i pagëzuar Stingray, që i takon gjeneratës C8, do të debutojë në vitin 2020 dhe sjell një revolucion të rëndësishëm teknik. Për herë të parë në historinë e saj, Corvette do të ketë motorin të vendosur në pozicion qendror, menjëherë pas sediljeve, me fjalë të tjera, atje ku e kanë rivalet e saj si Ferrari, Audi R8, McLaren 540, etj.

Motori ruan arkitekturën me tetë cilindra në formë V me vëllim 6.200 kubikë dhe me fuqinë e rritur në 497 kuaj, të cilët mund të bëhen 502 nëse porositet paketa Z51 që përfshin edhe amortizatorët e gradueshëm, pincat e frenave të zmadhuara dhe një sistem ftohjeje më të avancuar.
Kambio është automatike me dopio freksion dhe tetë marsha që komandohet edhe nga timoni me dy levëzat e vogla, për një guidë sportive në stil Formula 1.
Koha nga 0 – 100 është rreth 3 sekonda, një ndër më të mirat e Corvette dhe të makinave të kësaj kategorie.

Nga ana e pamjes së jashtme, designer-at amerikanë janë frymëzuar nga avionët Jet luftarakë F22 dhe F35 duke marrë detaje të cilët i japin origjinalitet dhe karakter modelit të ri. Këtu përfshihen gdhendjet në kofanon e motorit, gojëzat e ajrit anësore me forma gjeometrike, forma e profilit, këndi i xhamit të parë e shumë detaje të tjera. Interesant është këtu edhe tavani i cili është i zmontueshëm duke mundësuar një variant kabrio të llojit “targa”.
Edhe nga brenda Corvette C8 Stingray ka një lloj revolucioni të dallueshëm me ekrane led dhe forma të rinovuara, përfshirë këtu edhe timonin me “prerje” dhe jo të rrumbullakët, në stil garash natyrisht, gjë që sjell edhe në një kapje më të sigurt sipas teknikëve amerikanë.

Megjithëse ky model po pëlqehet në shumë drejtime nga publiku ndërkombëtar edhe europian, duket se një nga elementët më interesantë mbetet çmimi: më pak se 60.000 dollarë për të blerë një të tillë fringo duket një çmim vërtet popullor. Ok, këtu nuk janë përfshirë taksat, por për ne në Shqipëri duhet gjithsesi të llogarisim TVSH në momentin e importit, kështu që mekanizmi nuk ndryshon shumë. Nëse do të shtonim edhe këtë dhe ndonjë shpenzim transporti, flasim për rreth 75.000 dollarë që përkthyer në vakutën europiane janë rreth 66.000 euro. Mund të thoni se janë shumë???





