na ndiq ne

Cili është mjeti më i shpejtë në botë?

04/04/2020

Objektiv ambicioz

Për të qenë më të saktë, pyetja do të ishte cili është mjeti më i shpejtë që ecën mbi rrota. Miti i shpejtësisë duket se do të gjejë një rekord të ri larg shifrave që jemi mësuar të lexojmë në artikujt mbi makinat e zakonshme, sado sportive dhe performante qofshin ato.

Përdorëm fjalën mjet sepse në fakt nuk është një makinë por një mjet i posaçëm i projektuar pikërisht për të zbuluar se sa shpejt mund të ecet mbi rrota në tokë. Projekti ka nisur në 2008 në Mbretërinë e Bashkuar dhe quhet Bloodhound LSR. Rekordi që Bloodhoud duhet të thyejë është 1.223 km/h ndërkohë që objektivi i deklaruar i kompanisë është 1.000 milje ajrore, përkthyer në gjuhën tonë, 1.609 km/h. Për ta kuptuar më mirë këtë, ju themi që kjo është një shpejtësi më e madhe se ajo e avionëve të linjës në qarkullim, se shpejtësia e zërit dhe se shpejtësia e plumbit

Bloodhound LSR është i shtyrë nga më shumë se një motor, ku kryesori është motori reaktiv i përdorur për avionët EJ200 Eurofighter. Deri tani janë kryer teste të ndryshme duke arritur shpejtësinë 628 milje ajrore në orë që korrespondojnë me 1.011 km/h. Në testin e fundit, kompania pati idenë brilante të krahasonte në përshpejtim Bloodhound LSR edhe me tre makina të tjera: një makinë të zakonshme, një Bugatti Chiron (ndoshta makina më e shpejtë në botë) dhe një makinë Formula 1. Ndryshimi midis mjeteve të përfshira në garë është kolosal. Në fillim shquhet makina e F1 e cila parakalohet më tej nga Bugatti Chiron. Ky spektakel unik zgjat deri sa mjetet arrijnë shpejtësinë 300 km/h. Në këtë moment Bloodhound aktivizon motorin reaktiv EJ200 Eurofighter dhe nga aty e tutje as targa nuk i lexohet më (sikur të kishte një).

Video fillon 4.4 sekonda pas nisjes pasi në fillim pamja e dronit është e turbulluar nga lëvizja e ajrit që shkakton nisja e Bloodhound LSR. Makinat e tjera në krah, janë të simuluara me ngjyra dhe trajektore pasi në atë terren ranor nuk do të kishin puthitje maksimale të rrotave dhe për pasojë do të kishin perfomancë të lartë.

Në një tabelë të detajuar (më poshtë) kompania ka publikuar edhe të dhënat e përshpejtimit të Bloodhound deri në shpejtësinë maksimale. Fillimi është i ngadaltë, por në vazhdim …

0 – 60mph (96,56 km/h)       6.3 sekonda
0 – 100mph (160,93 km/h)    8.3 sekonda
0 – 200mph (321,87 km/h)    13.9 sekonda
0 – 300mph (482,80 km/h)    19.7 sekonda
0 – 400mph  (643,74 km/h)   26.1 sekonda
0 – 500mph (804,67 km/h)    33.9 sekonda
0 – 600mph (965,21 km/h)    45.6 sekonda
0 – 628mph (1.010,67 km/h) 50.1 sekonda

Puna për arritjen e një rekordi të ri ishte planifikuar për në 2021, por me bllokimin e punimeve prej pandemisë, ky afat do tërishikohet. Deri atëherë duket se do të kënaqemi me vetëm 1.010 km/h me rekordin në objektiv.

Kliko mbi imazhin për videon: