na ndiq ne

Cadillac Escalade: mirësevini në bord!

06/02/2020

Cadillac Escalade është një emër dhe një model i mirënjohur edhe për dikë që nuk është shumë familjar me makinat amerikane. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë: nëse një Escalade të kalon pranë njëherë, vështirë ta harrosh qoftë për nga përmasat, qoftë për nga imazhi i tij.

Në këtë version Escalade vjen në gjeneratën e tij të pestë ku rinovimi është rrënjësor si nga ana e design-it (sidomos të brendshëm) si nga ana teknologjike.

Për të përshkruar SUV-in amerikan, mirë është ta fillojmë nga përmasat, për të krijuar menjëherë idenë se për çfarë po flasim. Cadillac Escalade ka një gjatësi prej 5.38 metrash në variantin normal dhe arrin gjatësinë 5.76 metra në versionin e gjatë. Të dyja versionet mirëpresin në bord shtatë pasagjerë, ndryshimi qëndron tek kapaciteti i bagazhit që në kuotën minimale është plot 720 litra.

Design-i i Escalade është i realizuar mirë me një maskerino gjigande, me elementë të kromuar dhe fenerët e ngushtë me teknologji Led. Në qendër të maskerinos logo e proporcionuar e Cadillac-ut firmos modelin simbol të markës amerikane. Në profil Escalade është një krijesë e lindur për të përballuar kilometra pa fund. Kjo gjë vihet në dukje edhe nga disqet me përmasa 22” që në një trup të tillë as nuk ngjajnë të mëdhenj. Skeda teknike në këtë drejtim flet për një platformë të re me amortizatorë indipendentë dhe sistemin e ri Magnetic Ride i cili ofron më shumë komoditet dhe hapësirë. Idealisht, për ata që kanë mundësinë (financiare) Cadillac propozon amortizatorët me ajër Air Ride Adaptive që mundësojnë gradimin e lartësisë së makinës. Një Escalade e paijisur me këtë sistem është në gjendje të ulet dhe ngrihet për të mundësuar hipjen dhe zbritjen nga makina, por edhe të ulet për t’u ngjeshur me asfaltin për guidën me shpejtësi të larta në autostradë ose të ngrihet për të përballuar më mirë ekskursionet jashtë asfaltit.

Nëse nga jashtë rinovimi është i dukshëm, nga brenda Escalade i ri sjell një revolucion të vërtetë. Kësaj rradhe, designerat amerikanë kanë lënë pa fjalë edhe më tekanjozët. Hapësira në bord është vërtet prej klasi të parë. Materialet janë cilësore dhe të zgjedhura me kujdes. Luksi është prestigjioz me një design të kuruar, që lë pa fjalë edhe një fanatik të makinave “Made in Europe”.

Teknologjia është pararojë me elemente që nuk i kemi parë deri më sot. Në pjesën e sipërme të kruskotit dominon një ekran i madh Oled me përmasa 38”, por që për syrin është i ndarë në tre seksione: një ekran 7.2” majtas, me informacione për shoferin, ekranin e kuadrit me përmasa 14.2” dhe ekrani i infotainment me përmasa 16.9”. E veçanta e këtij ekrani gjigand mbi kruskot është forma e tij e harkuar dhe një realizim që nuk verbohet nga drita e diellit. Në këtë formë, ky ekran nuk ka nevojë për strehën tradicionale antirefleks që ka çdo kuadër në makinat e zakonshme.

Prania e një ekrani të tillë në bord bën diferencë të dallueshme për këdo. Perceptimi i informacionit është i amplifikuar nëpërmjet sistemeve Night Vision dhe Surround Vision. Ky i fundit merr informacion nga të katër kamerat e vendosura rreth makinës me definicion 2K ndërsa sistemi Trailering Integration Package (opsional) merr informacion nga nëntë kamera të cilat monitorojnë edhe rimorkion e mundshme përfshirë presionin e gomave të rimorkios.

Pasagjerët e pasëm kanë mundësinë e përdorimit të dy ekranëve me përmasa 12.6” nëpërmjet të cilëve mund të përdorin lirshëm internetin por edhe të komunikojnë me shoferin.

Nuk mund të ishte lënë në harresë impianti audio i cili është kuruar nga kompania AKG dhe parashikon plot 36 altoparlantë. Quhet AKG Studio Reference dhe përveç altoparlantëve ofron edhe mikrofonë për të thjeshtuar komunikimin midis pasagjerëve. Ky sistem ofron efektet 3D Surround dhe një funksion unik që konsiston tek fakti që zëri i navigatorit i vjen shoferit nga krahu që ai duhet të kthehet. Unik është gjithashtu edhe gradimi i volumit në mënyrë indipendente për pasagjerin e parë, njëfarë sistemi me dy zona për volumin e infotainment. Nuk mund të themi tjetër përveç se Bravo Cadillac!

Një bishë e tillë ka nevojë për gjithë muskujt e mundshëm dhe në fakt, ndoshta në këtë drejtim prisnim diçka më shumë. Motorizimet janë dy, me naftë, 3.000 kubikë me 277 kuaj fuqi dhe një njësi V8 me benzinë, 6.200 kubikë me teknologjinë VVT (Dynamic Fuel Management) me fuqi 420 kuaj dhe një moment rrotullues 623 Nm. Tërheqja është mbrapa ose integrale ndërsa është kambio automatike me 10 marsha.

Për njësitë hibride do të duhet të presim edhe ca pasi Cadillac nuk deklaron asgjë në momentin e lançimit.

Për sa i përket ADAS në shërbim të sigurisë dhe komoditetit, Cadillac Escalade ofron paketën Super Cruise ose me fjalë të tjera guidë autonome të nivelit të dytë. Ky sistem përdor informacionet e marrë nga pajistet radar, lidar, telekamera, harta nga GPS dhe mund të koordinojë gazin, frenat dhe timonin duke qenë në gjendje, në kushte autostrade, të frenojë, përshpejtojë por edhe të ndërrojë korsinë nëse shoferi aktivizon sinjalin majtas ose djathtas. Një dritë Led në pjesën e sipërme të timonit tregon kur sistemi është aktiv.