na ndiq ne

Bugatti La Voiture Noire

06/05/2019

Disa prodhues makinash janë vërtet jashtë normales. Këtë gjë e dëshmojnë çmimet e vendosura në “produktet” e tyre dhe akoma më shumë fakti që askush nuk pyet për to. Ndryshe nuk mund të shpjegohet sesi për një makinë që kushton 11 milionë euro (pa taksa) ka shumë persona në rradhë, një fitues të vetëm dhe ky nuk është Cristiano Ronaldo 🙂

Ndoshta këto gjëra nuk janë normale për një prodhues normal makinash, por kur emri i tij është Bugatti, atëhere situata ndryshon pak. Aq më shumë, kur bëhet fjalë për një ekzemplar të vetëm që nuk do të prodhohet më kurrë. Flasim këtu për La Voiture Noire (vetura e zezë), një emër francez  që ka për  qëllim të theksojë origjinën e prodhuesit në kuadër të 110 vjetorit të themelimit.

Flasim këtu për makinën në të shtrenjtë të prodhuar ndonjëherë e cila është shitur tashmë. Blerësi është një “entuziast” i markës, si shumë të tjerë, por me ndryshimin e vogël qëkishte mundësitë ekonomike t’i lejonte vetes kapriçon më të shtrenjtë automobilistike.

Me La Voiture Noire Bugatti tregon edhe një herë që është në gjendje të prodhojë veturën më të shtrenjtë, më të fuqishme dhe më ekskluzive.

Nga ana e estetikës, kjo makinë është e skalitur me bukurinë e një skulpture. Ky model lind si një frymëzim nga e kaluara, të quajtur Bugatti Type 57 SC Atlantic, një kryevepër nga e kaluara padyshim, por La Voiture Noire, nderthur design-in, luksin dhe punën artizanale të asemblimit me dorë, në një mënyrë të paparë më parë. Këtë e dëshmojnë detajet e karbonit, turiri i gjatë, format sportive, marmita prepotente me “ngjyrë” unike me gjashtë dalje, ndriçimin hipnotizues dhe disqet stoli që bashkojnë estetikën dhe fizikën njëkohësisht.

Poshtë kapakut? Motori është njësia e “njohur” e Bugattit Chiron me benzinë W16 (me 16 cilindra) 4 turbo dhe 1.500 kubikë.

Zëra flasin për një konsum mesatar rreth 35 litra/100km, por ky mund të jetë edhe më i lartë nëse flasim për kushte piste, ku çdo Bugatti duhet të “shkrydhet” herë pas here.

Ok deri këtu, përveç faktit që prodhimi do të përfundojë pas dy vjetësh dhe deri atëherë, ku i dihet, në bazë të kërkesave të pronarit të saj të ri, çmimi mund të rritet ende.