na ndiq ne

Bugatti dhe modelet ekskluzive te paprodhuara (ende)

28/02/2020

Sekrete apo surpriza??

Bugatti ka arritur të pozicionojë veten e tij në galaksinë e markave të paprekshme për shumicën e njerëzve normalë në tokë. E tillë pozitë do të thotë që të jesh i dëshiruar nga të gjithë por arritshëm nga shumë pak (miliarderë) në nivel botëror.

Megjithatë, prodhuesi francez vazhdon të operojë me të njëjtën filozofi dhe në fund të fundit kjo mund të jetë edhe e leverdisshme. Kjo nuk përjashton ama që Bugatti nuk ka menduar asnjëherë të prodhojë modele të tjera përveç Veyron apo Chiron. Këtë e vërteton lista e modeleve për të cilët Bugatti ka punuar gjatë gjithë kohës, edhe pse këto modele nuk e kanë parë dritën kurrë, ose më mirë të themi nuk e kanë parë ende dritën, sepse nga Franca ngulin këmbë në surpriza së ardhmi. 

Po le të shohim disa modele unike që Bugatti ka përgatitur ndër vite.

Atlantic V8 është një coupé me motor përpara (ouu??) me vëllim 4.200 kubikë. Bëhet fjalë për një makinë të gjatë rreth 5 metra me një pamje të rëndë dhe të rëndësishme me elementë skenografikë si hapja e dyerve nga lart. Mos u habisni të mësoni se ky mjet është ndërtuar në një platformë të përshtatshme edhe për tërheqje integrale 4×4 apo me njësi motorike elektrike.

Ky model është projektuar në vitin 2015, në të njëjtën kohë kur prodhohej edhe Chiron me të cilën më të kujdesshmit do të vërejnë disa ngjashmëri si fenerët apo forma e gërmës C në profil, në zonën e dyerve.

Atlantic V8 frymëzohet nga modeli me të njëjtin emër i viteve ’30 dhe do të ishte një model i rëndësishëm në shitjet e kompanisë franceze. Çmimi i hipotizuar nëse Atlantic V8 do të dilte në shitje do të ishte rreth 1 milion euro.

Bugatti W16 GT concept Rembrandt është një “coupé monstre” thënë ndryshe një model krejt ndryshe nga sa pamë tani. Motori është i vendosur në zonën përpara duke krijuar një turi të stërgjatë, por njësia motorike në këtë rast është një W16 me katër turbo, si tek Chiron, por që sipas “zërave” do të pozicionohej edhe më lart se Chiron për nga çmimi dhe rrjedhimisht niveli i prestigjit. La Voiture Noire (kliko këtu për artikullin) ka marrë gjithsesi shumë nga kjo makinë duke mos lënë të humbasë gjithë kjo pasuri teknologjike dhe teknike.

Një Bugatti Barchetta? Kemi parë modele të tilla në prodhues të tjerë prestigjiozë, si psh. Ferrari. Modelet e quajtura “barchetta” (nga italishtja “varkë”) janë modele cabriolet me një strukturë të veçantë të xhamit të parë që së bashku me xhamat e dyerve krijojnë një brez unik njësoj si në varkat e shpejtësive të larta në det. Ky model është projektuar në të njëjtën kohë me Prototipin 16 C Galibier Concept. Asnjë nga këto modele nuk kaloi kurrë në prodhim, por Barchetta shërbeu si frymëzim për modele si Divo (kliko këtu për artikullin)apo Centodieci, modele të prodhuara pasi Bugatti u bë pjesë e grupit gjerman Volkswagen.

Më gjithë këto modele “nën mëngë” a thua Bugatti të jetë duke u përgatitur të sulmojë edhe më shumë tregun e miliarderëveve që ka në target grupin e saj? Vështirë të themi me siguri, por për segmentet e “ulëta” me sa duket nga Franca nuk duhet të presim asgjë konkrete.