BMW X1 facelift 2019
Moda e madhe e makinave “te larta” ne format Suv apo Crossover vazhdon te jete trend i momentit në të gjitha nivelet, duke përfshirë këtu edhe prodhuesit premium, të cilët janë më se të hapur të shesin në segmente ku ndoshta një apo dy dekada më parë as që do ta konsideronin.
Në këtë drejtim, prodhuesi bavarez propozon që prej vitit 2009 modelin X1, më shumë një Crossover, por që tashmë mund edhe të quhet C Suv, që e përkthyer do të ishte Seria 1 me “rrota të larta”.
Në vitin 2015 BMW X1 vjen në gjeneratën e dytë ndërsa këtë vit i nënshtrohet një operacioni facelift të rëndësishëm për t’u uniformuar me modelet tjera të markës, të cilat prej dy vitesh kanë një drejtim të ri design-i, ku “dopio veshka” bëhet element dominant në pamjen ballore.
Konkurrentja e Audit Q3 dhe Volvos XC40 është e gjatë 4.45metra dhe ofron jo pak hapësirë për segmentin e saj. Pamja e jashte është e pëlqyeshme duke dhënë një imazh të një makine edhe më të madhe sesa është në realitet.
Nga brenda ndryshimet janë më pak të dukshme sesa nga jashtë. Në pjesën e kruskotit shtohen detaje që tregojnë kujdes në realizim si qepja me tegel të dukshëm në materialet e brendshme, rritja e ekranit të sistemit infotainment dhe pak detaje të tjera.
Risi do të ketë edhe pjesa motorike ku përveç njësiveme benzinë dhe naftë, X1 do të jetë edhe hibride. Motorët tradicionale janë në disa nivele duke filluar nga njësitë me tre cilindra me benzinë, 1.500 kubikë me 116 kuaj fuqi, deri në version 2.000 kubikë me 231 kuaj fuqi.
Kambio është manuale me gjashtë marsha ose automatike me shtatë marsha dhe dopio freksion ose me tetë marsha.
Këtyre versioneve i shtohet njësia hibride xDrive25e ku njësia 1.500 kubikë me 125 kuaj fuqi “ndihmohet” nga njësia elektrike me 95 kuaj fuqi shtesë. Bateria e motorit elektrik ka një kapacitet prej 9,7 kWh dhe garanton standardin aktual prej 50km në ecjen vetëm me bateri.
Motori elektrik është i vendosur në aksin e pasëm, duke ofruar kështu tërheqje integrale 4×4.